MINTI lanson kampanjën “Dhuro Made in Kosova”, synon promovimin e produkteve vendore

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka lansuar kampanjën “Dhuro Made in Kosova”, me qëllim të promovimit të produkteve vendore dhe rritjes së shitjes së tyre përmes platformave të tregtisë elektronike.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se kampanja vjen në prag të festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit, kur qytetarët dhe diaspora bëjnë blerje të dhuratave.
Ajo bëri të ditur se për këtë nismë janë bashkuar tri platforma të tregtisë elektronike, Gjirafa, Foleja dhe Shopaz, përmes të cilave produktet vendore do të promovohen dhe do të jenë më të qasshme për konsumatorët.
Kusari-Lila u bëri thirrje edhe platformave të tjera vendore që t'i bashkohen kampanjës, e cila do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027.
Ajo ftoi gjithashtu bizneset dhe prodhuesit vendorë që të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke aplikuar përmes adresës elektronike të ministrisë.
“Kur blejmë dhe dhurojmë një produkt Made in Kosova, nuk po i dhurojmë vetëm një dhuratë të thjeshtë. Ne po dhurojmë një vend të ri pune për një të ri apo të re, po mbështesim një familje dhe po ndërtojmë një ekonomi më të fortë e më të qëndrueshme për të gjithë”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se përmes kësaj kampanje synojnë që produktet vendore të jenë më të qasshme për konsumatorët, përfshirë edhe diasporën, përmes platformave të tregtisë elektronike.
“Përmes këtyre platformave, produktet vendore jo vetëm që do të listohen dhe promovohen në mënyrë të veçantë, por do të jenë vetëm një klikim larg çdo shtëpie në Kosovë, por edhe çdo qytetari të Republikës që jeton kudo jashtë vendit”, tha Kusari-Lila.
Mërgim Cahani nga Gjirafa tha se iniciativa është mundësi e mirë për prodhuesit vendorë që t'i promovojnë dhe shesin produktet e tyre, duke theksuar se kjo mbështetje duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të festave.
“Iniciativa është shumë e mirë, në kuptimin që i lejon të gjitha kompanitë vendore dhe prodhuesit vendorë me i shfaqur produktet e tyre, sidomos për festat e fundvitit. Po kjo nuk do të thotë që të qëndrojnë këto produkte vetëm për këtë periudhë. Unë besoj që këto kompani mund të vazhdojnë t'i shesin dhe t'i promovojnë produktet e tyre përgjatë tërë kohës që vazhdojnë”, tha Cahani.
Ai shtoi se Gjirafa është e gatshme t'i ndihmojë bizneset që dëshirojnë të hapin dyqane në platformën e saj.
Ndërsa, Qëndresa Peja nga Foleja tha se përmes kësaj kampanje kanë krijuar një hapësirë të veçantë për produktet vendore, duke u ofruar prodhuesve edhe mbështetje teknike e operacionale.
“Ne e kemi krijuar një hapësirë të dedikuar për produktet vendore dhe kemi me u munduar që me qenë ato sa më të qasshme për klientët. Përveç promovimit që do ta kemi me ‘Dhuro Made in Kosova’, ne do të mundohemi t'i mbështesim jo vetëm përmes plasimit të produkteve, po do të mundohemi t'i mbështesim edhe në anën operacionale, anën teknike, ku ata kanë me pasur vështirësi në regjistrim ose çkado për me mundur me u adaptuar me mjedisin e tregut elektronik e të shitjeve online”, tha Peja.
Ajo theksoi se synojnë që produktet vendore t'i plasojnë edhe jashtë Kosovës.
“Ne do të jemi bashkë me ta, ne do të punojmë së bashku rrugës dhe do të mundohemi që, përveç që do të shesim së bashku në Kosovë, kemi me i plasuar dhe produktet edhe nëpër shtete të tjera, në Shqipëri, Maqedoni e po ashtu synojmë bashkë edhe tregje ndërkombëtare”, tha ajo. /KP/
































