Përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka dalë hapur në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës. Kryeministri nuk i kurseu kërcënimet ndaj kryebashkiakut të burgosur, duke paralajmëruar se do të gjykojë me ashpërsinë më të madhe politike të gjithë ata që, sipas tij, po zbatojnë porosi për të goditur punonjësit e Bashkisë së Tiranës. Në fjalën e tij, Rama iu referua drejtpërdrejt vendimeve të marra nga Veliaj për largimin nga detyra të disa drejtuesve bashkiakë, të cilët i cilësoi si njerëz që kanë mbajtur me dinjitet funksionet e tyre.
Në qendër të përplasjes janë emra konkretë të drejtuesve të shkarkuar nga Veliaj, mes tyre Elona Lala, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, Jona Osmani, drejtoreshë e Urbanistikës, dhe Rigers Sheqeri, drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Rama i mori këto largime si shkak për të lëshuar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Veliajt dhe njerëzve që, sipas tij, po veprojnë në emër të tij nga Bashkia e Tiranës.
Kryeministri e bëri të qartë se vendimet për largimin e drejtuesve nuk do të kalojnë pa pasoja politike, duke deklaruar se goditja e punonjësve në krye të detyrës, me porosi nga lart dhe pa motive të justifikueshme, nuk do të harrohet dhe as do të falet. Madje, ai e paralajmëroi Veliajn se, ndonëse mund t'i falet të gabojë në gjykimin e tij për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, kjo nuk vlen për personat që kanë ende lirinë dhe përgjegjësinë të marrin vendime politike.
“Një njeriu që nuk është i lirë, i falet t'i gjykojë gabim gjërat dhe të fantazojë duke folur gabimisht, por askujt që ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime, dhe lëre pastaj të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor ndaj të tjerëve”, deklaroi Rama.
Në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut të burgosur, Rama përmendi edhe reagimet e Veliajt nga qelia, duke iu referuar ironikisht shkrimeve të tij si “dorëshkrime të Lalit nga burgu imagjinar politik”. Ai kritikoi gjithashtu ndërhyrjen e avokatit të Veliajt në çështjet e Bashkisë, duke e cilësuar atë si një person të përjashtuar nga Partia Socialiste.
“Si mund të largohet nga puna një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera dhe të tjerë drejtues dhe punonjës në Tiranë, pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij”, tha kryeministri.
Megjithëse u shpreh se nuk e gjykon Veliajn për atë që thotë dhe bën, Rama i kërkoi atij të kuptojë se është në gabim në raport me të dhe me Partinë Socialiste. Por paralajmërimi i tij shkoi përtej një kritike politike, duke kërcënuar hapur çdo drejtues apo punonjës të Bashkisë së Tiranës që do të vijojë të zbatojë vendime të tilla.
“Unë nuk e gjykoj Erionin për atë çfarë thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do e gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë”, deklaroi Rama.
Fjalimi i Ramës në Asamblenë e PS-së së Tiranës nxjerr në pah një përplasje të thellë brenda Rilindjes, ku i dërgoi ish-beniaminit të tij mesazhe të drejtpërdrejta nga pushteti, ndërsa kundërshton vendimet që kryebashkiaku ka marrë nga burgu. Përplasja mes tyre tashmë po shfaqet publikisht, me kërcënime për ndëshkim politik dhe me emra konkretë përkrahësisht të njërti apo tjetrit.
© SYRI.net
Policia me forca të shumta kundër protestuesve para Ministrisë së Arsimit, përplasje për bllokimin e Rrugës së Durrësit
Jurgen Spaho: Edi Rama ik, studentët nuk të takojnë, nuk ka dialog pa dorëheqje
‘Rama shpall Veliajn armik të socialistëve’/ Koka: Asambleja e Tiranës vulosi përjashtimin de facto të tij nga PS