Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë larguar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT.
Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përgjegjësive të punonjësve të përfshirë në inspektimin e ngarkesës.
Nga detyra është shkarkuar L.B., inspektor në Pikën e Kalimit Kufitar të Durrësit, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, stabilimentit të autorizuar për eksport dhe vërtetësisë së certifikatës së ngarkesës.
Po ashtu, janë shkarkuar edhe tre inspektorë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, me inicialet E.T., K.K. dhe M.G. Ata akuzohen për mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me rëndësinë e tyre.
“Pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale, Komisioni Disiplinor vendosi:
▪️ L.B., Inspektor Kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së, Durrës – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, mosverifikimin e stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës, duke lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.
▪️ E.T., K.K. dhe M.G., inspektorë pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së, Fier – masën disiplinore “Largim nga detyra”, për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.
Gjithashtu, për shkak të kompleksitetit të rastit dhe problematikave të konstatuara, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithëshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës, me qëllim shqyrtimin e plotë të dokumentacionit, veprimeve të kryera dhe përgjegjësive të strukturave të përfshira”,- thuhet në njoftim.
LEXO EDHE:
27 tonë mish derri me dokumente false, firma King-Mit në qendër të skandalit













