BE propozon taksë për gjigantët e teknologjisë dhe shkurtime prej 200 miliardë eurosh në projektbuxhetin e ri

Bashkimi Evropian prezantoi të shtunën planet për të taksuar kompanitë më të mëdha digjitale në botë me qëllim financimin e buxhetit të tij të ardhshëm, ndërsa përpiqet të kapërcejë ndasitë mes vendeve anëtare lidhur me financimin afatgjatë të bllokut.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, shpalosi një propozim të ri shpenzimesh që shkurton me 204 miliardë euro (224 miliardë dollarë) planin e paraqitur fillimisht nga Komisioni Evropian, të cilin disa vende e kishin kritikuar si tepër të rëndë.
“Besoj se ky propozim mund të na afrojë më shumë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, deklaroi Costa gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Megjithatë, drafti nxiti menjëherë kritika si nga të ashtuquajturat vende “kursimtare” të BE-së të udhëhequra nga Gjermania, ashtu edhe nga vende si Franca që kundërshtojnë shkurtimet e mëdha.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u shpreh se “madhësia e përgjithshme e buxhetit mbetet ende shumë e lartë”, duke vënë në dukje se “pothuajse të gjitha” vendet anëtare është dashur të konsolidojnë financat publike brenda vendit. Nga ana tjetër, zyra e Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cilësoi propozimin si “zhgënjyes”, veçanërisht sa i përket mbështetjes së të ardhurave për fermerët.
Vendet e BE-së kanë debatuar ashpër mbi madhësinë e buxhetit të ardhshëm, me Gjermaninë në krye të thirrjeve për shkurtime të mëdha, pasi Komisioni propozoi vitin e kaluar një buxhet prej dy trilionë eurosh për periudhën 2028–2034.
Costa, i cili përfaqëson 27 vendet anëtare të BE-së, po synon arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit, duke balancuar kontributet e vendeve anëtare me burime të reja të ardhurash për bllokun.
Ndër to përfshihet edhe një taksë mbi firmat digjitale, e cila sipas draftit të prezantuar të shtunën do të prekë kompanitë me një qarkullim vjetor nga aktivitetet digjitale prej të paktën 50 milionë eurosh në BE, si dhe një qarkullim global prej më shumë se 750 milionë eurosh. Sipas dokumenteve të publikuara nga Këshilli, këto kompani do t’i nënshtrohen “një kontributi vjetor që korrespondon me 3 për qind të qarkullimit neto vjetor nga reklamat online, shërbimet e ndërmjetësimit digjital dhe të dhënat e gjeneruara nga përdoruesit”.
Ky plan pritet të shkaktojë zemërimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi administrata e tij ka reaguar ashpër vitet e fundit ndaj gjobave dhe masave të BE-së kundër gjigantëve amerikanë të teknologjisë (Big Tech) në kuadër të rregullave për përmbajtjen dhe konkurrencën.
“Kjo taksë nuk drejtohet në asnjë mënyrë kundër ndonjë kompanie apo vendi të veçantë”, tha Costa lidhur me këtë tarifë, e cila zëvendëson një taksë mbi kompanitë e mëdha të parashikuar më herët nga Komisioni.
Drafti përfshin gjithashtu plane për një tarifë mbi mbetjet elektronike dhe taksa më të larta mbi duhanin. Costa bëri me dije se BE-ja do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një takse mbi kripto-asetet, si dhe gjenerimin e të ardhurave nga ankandet e spektrit të radiovalëve. Në total, Këshilli vlerëson se “burimet e veta” të BE-së mund të gjenerojnë rreth 60 miliardë euro të ardhura në vit.
Projektbuxheti do të jetë në qendër të bisedimeve të tensionuara kur liderët e BE-së të mblidhen në Bruksel javën e ardhshme. Costa po bën presion për një marrëveshje në dhjetor, mes frikës se një vonesë do t’i shtynte negociatat në vitin zgjedhor 2027, ku ekziston shqetësimi se fitoret e mundshme të forcave euroskeptike në Francë dhe gjetkë mund të vështirësonin arritjen e kompromiseve.
Edhe pasi vendet e BE-së të gjejnë një gjuhë të përbashkët, atyre do t’u duhet të negociojnë me Parlamentin Evropian — një proces që po ashtu premton të jetë i vështirë.
“Propozimi i Presidentit Costa është thjesht i papranueshëm. Këshilli është fiksuar pas shkurtimeve, kur Evropa ka nevojë për ambicie dhe burime për të përballuar sfidat e saj në rritje”, paralajmëroi ligjvënësi kryesor për buxhetin, Siegfried Muresan.
Costa nuk përballet vetëm me kërkesat e vendeve kursimtare. Franca, ekonomia e dytë më e madhe e BE-së dhe kontribuuese neto në buxhet, argumenton se bllokut i duhen mjete të mjaftueshme për t’u përballur me sfidat aktuale. Ndërkohë, 17 vende nga Evropa Jugore, Qendrore dhe Lindore kanë formuar grupin e njohur si “Miqtë e Kohezionit” dhe po kërkojnë më shumë fonde për të mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.
“Jemi ende shumë larg një kompromisi”, shkroi në platformën X ministrja suedeze për Evropën, Jessica Rosencrantz, vendi i së cilës është së bashku me Gjermaninë mes pesë shteteve që kërkojnë uljen e kontributeve kombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



