Pas nëntë podiumeve, skiatorja kuqezi prek majën për herë të parë në karrierë. Një histori e jashtëzakonshme familjare, një projekt që nisi në vitin 2022 me Shqipërinë dhe tashmë po korr suksesin më të madh. Lara merr edhe kryesimin e përgjithshëm të Kupës së Botës.

Lara Colturi ka shkruar historinë! Skiatorja kuqezi ka arritur fitoren e parë në karrierë në një etapë të Kupës së Botës në ski alpine, duke triumfuar në slalomin e Gurglit në Austri. Në moshën vetëm 20-vjeçare, pas nëntë podiumeve, më në fund ka ardhur ngjitja në shkallën më të lartë të podiumit për talentin që garon nën flamurin shqiptar.

Një sukses që merr edhe më shumë vlerë për mënyrën se si është ndërtuar kjo histori. Pas këtij triumfi qëndron një projekt familjar, i nisur në vitin 2022, kur familja Colturi zgjodhi Shqipërinë për të përfaqësuar Larën në arenën ndërkombëtare. Një bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Skive, të drejtuar nga Elvis Toçi, që tashmë po jep rezultate të jashtëzakonshme.

Në Gurgl, aty ku dy vite më parë kishte regjistruar podiumin e parë në Kupën e Botës, Lara u rikthye për të përjetuar emocionin më të madh të karrierës. Pas një gare të parë të vështirë, të ndikuar edhe nga kushtet atmosferike, skiatorja shqiptare zhvilloi një zbritje të shkëlqyer në garën e dytë, duke lënë pas rivalet suedeze dhe duke siguruar fitoren historike.

Në intervistën e parë pas triumfit, emocionet ishin të dukshme. Lara nuk e fshehu mirënjohjen për njerëzit që e kanë shoqëruar në këtë rrugëtim, duke ia dedikuar suksesin familjes dhe të gjithë ekipit. “Është diçka e çmendur dhe e pabesueshme. Jam shumë mirënjohëse që po përjetoj këtë emocion, së bashku me të gjithë ekipin tim. Këtu erdhi edhe podiumi im i parë, dy vite më parë. E dija që ishim në rrugën e duhur dhe po punonim fort”, u shpreh Colturi.

Më pas, në intervistën për RAI Sport, ajo theksoi se pas këtij suksesi qëndron puna e shumë viteve, duke vënë në plan të parë familjen dhe njerëzit që e kanë mbështetur në çdo hap. “Pa ata nuk do të isha këtu. Edhe gjyshërit e mi janë këtu, ndërsa Yuri garoi në të dyja zbritjet. Sot është një përmbledhje e gjithë punës që kemi bërë gjatë këtyre viteve, por sezoni është ende i gjatë”, deklaroi skiatorja shqiptare.

Një histori brenda historisë është edhe ajo e familjes Colturi. Nëna e saj, Daniela Ceccarelli, kampione olimpike në Salt Lake City 2002, është një prej figurave kryesore të projektit, ndërsa babai Alessandro dhe vëllai i vogël Yuri janë gjithmonë pranë saj. Madje, Yuri ishte edhe vetë në pistë, duke përjetuar nga afër atmosferën e një gare të Kupës së Botës.

Me këtë fitore, Lara merr edhe kryesimin e vetëm të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës, duke konfirmuar se nuk është më thjesht një talent premtues, por një emër që mund të luftojë me më të mirat e botës. Megjithatë, ajo preferon të mos vendosë objektiva të mëdha përpara vetes: “Kupa e Botës nuk është një shqetësim për mua, as renditja e përgjithshme dhe as ajo e slalomit apo gjigantit. Unë vij në portën e nisjes dhe dua të argëtohem. Super-G më pëlqen shumë, është kënaqësi, por nuk do t’i bëj të gjitha garat”, tha Colturi.

Shqipëria feston një fitore historike në sportet dimërore. Një projekt i nisur me besim katër vite më parë tashmë ka prodhuar kampionen e parë të një etape të Kupës së Botës. Dhe historia e Lara Colturit duket se sapo ka nisur.

Top Channel