Buxheti 2027/ 40 milionë euro për diplomacinë shqiptare, ministri Hoxha: Nuk është shpenzim, por investim strategjik

21/11/2026 15:48

“Buxheti që Kuvendi i Shqipërisë miratoi nuk është thjesht një tabelë shifrash. Është një investim në Shqipërinë që duam të ndërtojmë”, kështu deklaroi përmes një videomesazhi në rrjetin social X, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili theksoi se ky buxhet është një investim në përparësitë themelore si rendi dhe siguria, shëndetësia, arsimi dhe politika e jashtme.

Hoxha sqaroi se buxheti i politikës së jashtme për vitin 2027 arrin në rreth 40 milionë euro, pjesa e konsiderueshme e të cilit, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i shërben objektivit madhor kombëtar: Shqipërisë evropiane.

Sipas tij, në një moment vendimtar të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, vendi ka nevojë për një diplomaci më të fortë, më profesionale, më moderne dhe të lidhur fort me ritmet e zhvillimit të vendit, në promovimin e ekonomisë dhe eksporteve.

Buxheti 2027, shtoi Hoxha, sjell më  shumë mundësi dhe instrumente për ta bërë diplomacinë një forcë edhe më të madhe në shërbim të vendit: më shumë Shqipëri në Evropë dhe më shumë mundësi për Shqipërinë në botë.

“Na duhet një diplomaci që nuk mjaftohet vetëm me përfaqësimin e Shqipërisë, por punon çdo ditë për të mbrojtur dhe çuar përpara interesat e saj. Kjo nënkupton kapacitete më të mëdha për të përballuar sfidën e anëtarësimit në BE, një shërbim diplomatik modern dhe konkurrues, shërbime konsullore më cilësore dhe më pranë qytetarëve tanë jashtë vendit, si dhe një diplomaci ekonomike, jo si slogan i bukur por si nje realitet i prekshëm, që nxit e sjell investime, që promovon eksportet shqiptare dhe hap mundësi të reja për ekonominë dhe biznesin shqiptar”, tha ai.

Për Shqipërine e sotme dhe projektimin tonë nesër, nënvizoi Ministri, diplomacia nuk është shpenzim, por investim strategjik në sigurinë, zhvillimin, ndikimin dhe të ardhmen tonë evropiane.

Top Channel