Ish-kreu i Policisë Kombëtare italiane, Gianni De Gennaro, është gjetur i vdekur në banesën e tij në një zonë rurale të Toskanës. Vlerësimet paraprake të autoriteteve flasin për një skenar të mundshëm vetëvrasjeje. 78-vjeçari ishte përmendur së fundmi në një hetim të prokurorisë së Caltanissetta-s në Siçili, lidhur me dyshimet për përpjekje për të penguar hetimet mbi vrasjen e gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra në vitin 1992 nga një shpërthim me makinë-bombë në Palermo, së bashku me pesë efektivë policie që e shoqëronin.

De Gennaro ishte përmendur në hetim vetëm pak ditë para se të gjendej i vdekur. Ai i kishte mohuar akuzat dhe, sipas personave pranë tij, lajmi për përfshirjen në hetim e kishte tronditur.

Ngjarja lidhet me një nga episodet më të errëta dhe më të diskutueshme të historisë së fundit italiane. Vetëm pak muaj para vrasjes së Borsellino-s, një tjetër atentat mafioz kishte marrë jetën e gjyqtarit antimafia Giovanni Falcone, bashkëpunëtor i ngushtë i De Gennaro-s. Gjatë karrierës së tij, De Gennaro luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër mafies siciliane Cosa Nostra. I njohur me nofkën “Peshkaqeni”, ai bashkëpunoi ngushtë me Falcone-n në hetimet historike kundër organizatës kriminale dhe ndihmoi në ekstradimin nga Brazili të informatorit të mafias, Tommaso Buscetta.

Ai drejtoi Policinë Kombëtare italiane nga viti 2000 deri në vitin 2007, pasi kishte marrë më parë drejtimin e Drejtorisë së Hetimit Antimafia. Më pas, drejtoi departamentin për koordinimin e shërbimeve të inteligjencës italiane. Në vitin 2013, De Gennaro u emërua në krye të grupit shtetëror të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes Finmeccanica, i cili më vonë mori emrin Leonardo. Ai e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2020.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: