Kanë përfunduar edhe dy ndeshje të xhiros së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku fitore kanë shënuar Llapi dhe Malisheva.

Llapi ka triumfuar, me rezultat bindës 4:1, ndaj Vushtrrisë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, por deri te fitorja nuk ka ardhur aq lehtë sa e tregon rezultati.

Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 20-të me golin e Kevin D’Almeidas, por Vushtrria barazoi shifrat në minutën e 60-të përmes Albijon Shurdhiqit.

Megjithatë, në minutën e 70-të Fiton Ademi riktheu epërsinë për skuadrën llapjane. Abdoulaye Yahaya në minutën e 84-t dhe Arbnor Ramadani nga penalltia në minutën e parë të kohës shtesë vulosën fitoren e skuadrës së drejtuar nga Tahir Batatina, 4:1.

Në ndeshjen tjetër, Malisheva triumfoi me përmbysje ndaj Dukagjinit, me rezultat 2:1, në stadiumin “Liman Gegaj”.

Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e Dienit Isufit, por Kreshnik Uka barazoi rezultatin në minutën e 63-të.

Ndërkaq, fituesin e kësaj përballjeje e vendosi kapiteni Dren Kryeziu, i cili në minutën e 84-t shënoi nga penalltia për fitoren 2:1 të Malishevës.

Dukagjini nga minuta e 82-të luajti me një futbollist më pak, pas përjashtimit me karton të kuq të Egzon Sinanit.

Pas këtyre rezultateve, Malisheva renditet në vendin e dytë me 30 pikë, ndërsa Dukagjini zë pozitën e gjashtë me 18 pikë.

Llapi ndërkaq ngjitet në kuotën e 11 pikëve dhe renditet në vendin e parafundit, kurse Vushtrria mbetet e fundit me tri pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb