‘Takimi me studentët, propagandë e qeverisë’/ Spaho: Të rinjtë e pranishëm të lidhur me PS, nuk përfaqësojnë protestuesit

15:56, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype për SYRI TV, kryetari i Grupit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho, e ka cilësuar të paligjitim takimin e qeverisë me studentët, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor të rinj të lidhur me Partinë Socialiste për propagandë politike.

Spaho deklaroi se mes pjesëmarrësve në takim kishte familjarë të zyrtarëve socialistë dhe persona të angazhuar në strukturat e PS-së, të cilët tha se nuk përfaqësojnë studentët protestues.

Ai theksoi se qeveria po përpiqet ta paraqesë takimin si dialog me studentët, ndërkohë që kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja pa kushte e Edi Ramës.

Spaho akuzoi gjithashtu Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke e cilësuar takimin një përpjekje për të mbuluar përgjegjësinë politike të qeverisë.

Pjesë nga intervista:

Më lejo të them që ajo mbledhje është komplet jo legjitime, sepse nuk përfaqëson interesat e studentëve.

Këtu kam disa nga formularët që studentët kanë plotësuar, ata studentë të cilët qeveria po i përdor për propagandën e tyre, disa formularë me të cilët këta aplikojnë, dhe në formularë të ndryshëm, kërkesat janë të ndryshme, d.m.th. asnjë nga ata studentë, të cilët kanë qenë në takim, nuk është në një linjë të përbashkët me studentët që kanë protestuar nga data 13 tetor e mbrapa.

Pjesë e atyre studentëve ka qenë Mateo Seferi, djali i Andi Seferit, që është zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës nga 2015. Në atë mbledhje ka qenë Irla Piraj, që është kandidate nr. 61 në Këshillin Bashkiak të Tiranës për Partinë Socialiste. Ka qenë Aida Turku dhe ajo ka qenë e angazhuar në Asamblenë Rinore në Lushnjë. Kristjaç Ndreu, gjithashtu djali i Pjerin Ndreut, që është kryetar i Bashkisë së Lezhës. Danjel Kore, që është kryetar i Parlamentit të Nxënësve.

Nuk është një takim legjitim, thjesht ata të rinj po përdoren nga qeveria si marioneta për të bërë një makijazh mbi situatën politike në vend, në të njëjtën kohë kur studentët po kërkojnë përgjegjësi politike dhe kërkesa e tyre e vetme është dorëheqja e Edi Ramës pa kushte, ndërkohë që në formularët që disa nga ata studentë kanë plotësuar janë kërkesa të ndryshme që nuk kanë lidhje fare me atë çfarë kërkojnë studentët në shesh.

Është dezinformimi i qytetarëve. Ata nuk është se duhet të fshehin fytyrat e tyre, se ata janë aty se zemra ua ndjen, janë të Partisë Socialiste, janë funksionarë të Partisë Socialiste, janë funksionarë të Këshillit Rinor Kombëtar, etj. me radhë. Kjo po bëhet propagandë për të thënë që ne po ulemi, po diskutojmë, po dialogojmë me studentë që janë kundër dhunës. Të gjithë studentët janë kundër dhunës. Dhunë është ajo që ka ushtruar Policia e Shtetit për mbrojtjen e një individi të vetëm, që është Edi Rama, një narkoqeveritar, një bandit në krye të shtetit, që e ka sjellë situatën për të rinjtë dhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë në këtë pikë që ne jemi dhe diskutojmë çdo ditë për një milion shqiptarë të larguar, mbylljen e disa degëve në universitete, si mësuesia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco