Arrestohet në Meksikë “El Chapo Isidro”, një nga 10 më të kërkuarit e FBI-së
Forcat speciale meksikane e kapën në Sinaloa pas një shkëmbimi zjarri. SHBA-ja kërkon ekstradimin e tij për akuza të trafikut të drogës
Forcat speciale meksikane arrestuan të premten Fausto Isidro Meza Flores, të njohur si “El Chapo Isidro”, pas një shkëmbimi zjarri në qytetin Guasave, në shtetin e Sinaloas. Ai figuronte në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga FBI-ja.
Sipas Sekretariatit të Mbrojtjes të Meksikës, gjatë operacionit u ndalua edhe një bashkëpunëtor i tij i afërt. Meza Flores kërkohej në Meksikë për akuza që lidhen me krimin e organizuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ekstradimin e tij.
FBI-ja e identifikon Meza Floresin si drejtues të një organizate kriminale me bazë në Sinaloa, të njohur edhe si karteli i Guasaves. Autoritetet amerikane e akuzojnë atë për trafikimin e fentanilit, kokainës, heroinës dhe drogave të tjera drejt SHBA-së. Sipas Euronews Albania, ai dyshohet se ishte aktiv në trafikun e drogës që nga vitet 1990.
Arrestimi vjen ndërsa qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum ka intensifikuar operacionet kundër karteleve, mes presionit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të frenuar trafikun e drogës.















