Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, në një prononcim për News24, ka komentuar protestën e studentëve dhe qytetarëve, duke vlerësuar pjesëmarrjen dhe organizimin e saj. Ai tha se policia po zbaton urdhrat e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë, të cilat i cilësoi pa logjikë dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Biberaj u shpreh se protesta është një lëvizje e pavarur nga partitë politike, e organizuar nga vetë studentët, ndërsa vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe organizimin e tyre në universitete. Sipas tij, kjo lëvizje mund të ketë ndikim në zhvillimet politike të vendit.
“Protesta është shumë e mirë, ka pjesëmarrje. Policia zbaton urdhrat e Edi Ramës dhe të ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë. Urdhra pa logjikë, në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Rinia është e bindur që do ta vazhdojë kauzën. Ose shqiptarët në Shqipëri, ose Edi Rama. E kam parë me pozitivitet Lëvizjen Studentore. Është e pastër, rinore, kanë qenë studentët që e kanë organizuar. Është mbi partitë politike. Asnjë parti politike nuk e ka kapur lëvizjen. Është brez i jashtëzakonshëm. Është lëvizje që do të ketë influencë në zhvillimet politike.
Do të thoja se është i njëjti ambient, mentalitet me Serbinë. Vuçiçi me Ramën kanë qenë siamezë. Korrupsion këtu dhe atje. Por Edi Rama ka punuar kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës. Studentët e kanë si rast studimi rastin serb. Janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre, po bëjnë organizim kapilar në të gjitha universitetet.”, tha ai.
