Operacioni “Tranzit 4” në Elbasan, arrestohen 3 të rinj nga Korça, po transportonin 9 emigrantë të paligjshëm

Aktualitet | 1 minutë më parë

Policia e Elbasanit ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Tranzit 4”. Si rezultat i ndërhyrjes, u vunë në pranga tre të rinj nga Korça, të cilët po transportonin 9 emigrantë nga vendet e treta.

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga shërbimet e Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë (DVP) Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Në pranga ranë në flagrancë shtetasit me iniciale A. D., 25 vjeç, M. T., 21 vjeç dhe K. N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, tre të rinjtë u kapën duke transportuar me dy automjete 9 shtetas të huaj. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se emigrantët “kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nga kufiri i gjelbër në Korçë dhe do të transportoheshin në drejtim të pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës”.

Gjatë operacionit, blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy automjetet e përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, si dhe 5 aparate celulare.

Policia bën me dije se “vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, në ngarkim të të arrestuarve për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme