Sport

HISTORIKE/Lara Colturi i dhuron fitoren e parë Shqipërisë në Kupën e Botës në Skitë Alpine në Austri

Lara Colturi shkruan historinë për sportin shqiptar. Në moshën 20 vjeçare, skiatorja që garon për ngjyrat kuqezi në Kupën e Botës së Skive Alpine, arriti të triumfojë në ndalesën e radhës, në Gurgl të Austrisë në disiplinën e Slalomit me kohën e përgjithshme 1 minutë 45 sekonda e 47 të qintat

Pas dy vendeve të dyta në Soelden dhe Levi, për Lara Colturin ishte e treta e vërteta dhe 20 vjeçarja ia doli që të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit në tokën austriake duke bërë që të dëgjohet himni kombëtar shqiptar.

Që kjo do të ishte dita e Lara Colturit u duk që në zbritjen e parë të ndalesës së Gurgl. Pavarësisht kushteve jo optimale atmosferike, ku vizibiliteti i pistës ishte  vështirë në fazat e para të garës, Lara Colturi arriti të përshkojë pistën me kohën 51 sekonda e 94 të qintat, një kohë fantastike kjo, ku më mirë se ajo bëri vetëm Anna Sëenn Larsson me skiatoren kuqezi  që la pas emra si Paula Moltzan, Emma Aicher  apo Camille Rast.

Edhe zbritja e dytë ishte e jashtëzakonshme për Lara Colturin, teksa realizoi kohën 53 sekonda e 53 të qintat për të shënuar kohën totale 1 minutë 45 sekonda e 47 të qintat që i dha edhe fitoren e parë Lara Colturit por edhe te gjithe skive shqiptare. Sara Hector u rendit në vendin e dytë e ndjekur nga Anna Sëenn Larsson në të tretin.