Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe dëshmitarë okularë.

Sipas një dëshmitari të Reutersit, automjeti po transportonte produkte ushqimore të paketuara, ndërsa dokumentet brenda tij mbanin logon e organizatës “World Central Kitchen”, e cila shpërndan ushqime për banorët e Gazës.

Një tjetër dëshmitar, Abu Zein Al-Daya, ka thënë se automjeti ishte duke u përgatitur të ndalonte për të shpërndarë ushqime dhe pije për fëmijët, kur u godit nga një raketë.

“Automjeti sapo ishte gati të ndalonte për të shpërndarë ushqim dhe pije për fëmijët, kur u godit nga një raketë”, ka deklaruar ai.

Pas sulmit, rreth automjetit ishin shpërndarë edhe ushqimet e përgatitura, përfshirë pjata me oriz të gatuar. Automjeti ishte pjesërisht i mbuluar me gjakun e viktimave.

Ndërkaq, ushtria izraelite ka deklaruar se në atë zonë kishte shënjestruar disa persona që i cilësoi si operativë militantë, pa dhënë detaje të tjera.

Ushtria nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve lidhur me arsyen e sulmit ndaj një automjeti që, sipas dëshmitarëve, po transportonte ndihma humanitare.

As organizata “World Central Kitchen” nuk kishte dhënë menjëherë ndonjë koment lidhur me rastin.