Anija ruse “Sparta II” dëmtohet rëndë pas raportimeve për sulm me dronë pranë Finlandës
Anija e mallrave, e lidhur me logjistikën ushtarake ruse, u përfshi nga flakët. Finlanda vendosi kufizime të përkohshme në trafikun ajror dhe detar.
Anija ruse e mallrave “Sparta II” është dëmtuar rëndë në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës. Pas incidentit, anija u përfshi nga flakët dhe përfundoi në ujërat territoriale finlandeze, sipas Forcave Mbrojtëse të Finlandës, transmeton KosovaPress.
Incidenti ndodhi në perëndim të ishullit rus Gogland, rreth 40 kilometra nga bregu finlandez. Policia dhe roja kufitare e Estonisë morën njoftimin për zjarrin në orën 09:35, sipas kohës lokale. Sipas të dhënave paraprake, në anije pati shpërthime ndërsa ajo po lundronte drejt Kaliningradit.
Guvernatori i rajonit rus të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, tha se anija u godit nga dy dronë në ujërat ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se evakuimi i ekuipazhit ishte në zhvillim dhe se autoritetet po vlerësonin pasojat e incidentit. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush i nisi dronët.
Finlanda shtoi masat e sigurisë në zonë dhe njoftoi aleatët e saj, ndërsa Suedia ofroi ndihmë. Ministria finlandeze e Mbrojtjes bëri të ditur se kufizimet e përkohshme në pjesën lindore të gjirit synojnë të mbrojnë civilët dhe t’u mundësojnë forcave të ndërhyjnë në rast nevoje.
“Sparta II” i përket kompanisë ruse Oboronlogistika, e cila ofron shërbime transporti për Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë. Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, në gusht të vitit 2022 anija transportoi sisteme të mbrojtjes ajrore S-300 nga Siria drejt portit rus të Novorossiysk-ut.
Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar anijen në maj të vitit 2022 për shkak të lidhjes me Oboronlogistika. Ukraina e përfshiu atë në listën e anijeve të sanksionuara në maj të këtij viti.















