Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, gazetarët e Telegrafit, Lavdim Pireva, Shkumbin Pireva dhe Bardh Maxhuni, diskutojnë për rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve, duke analizuar rezultatet, paraqitjet dhe vendimet që ndikuan në përfundimin e kësaj kampanje.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i kushtohet arsyeve se përse Dardanët nuk arritën ta siguronin një vend në vazon e dytë.


Shkumbin Pireva ndalet te mungesat dhe mosangazhimi i disa prej futbollistëve kryesorë, duke vënë në pah faktorët që, sipas tij, ndikuan në mosrealizimin e këtij objektivi.

Në anën tjetër, Lavdim Pireva analizon problemet e Kosovës në repartin ofensiv, duke kritikuar paraqitjen e sulmit dhe duke treguar se ku dështoi përfaqësuesja gjatë ndeshjeve të këtij edicioni.

Gazetari Bardh Maxhuni sjell një vlerësim të përgjithshëm për ecurinë e Kosovës, duke veçuar aspektet pozitive dhe negative të kampanjës.

Ai gjithashtu ndalet te paraqitjet individuale të futbollistëve, me vëmendje të veçantë te mbrojtësi Ilir Krasniqi, të cilin e vlerëson si një prej shtyllave të rëndësishme të kombëtares dardane.

Përmes analizave dhe këndvështrimeve të ndryshme, ky episod trajton jo vetëm atë që Kosova arriti në Ligën e Kombeve, por edhe mangësitë që duhet të adresohen për të ardhmen, në mënyrë që Dardanët të bëjnë hapa përpara në garat e ardhshme.

Episodin e plotë të “Arena e Yjeve” mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/