Stojkoviq: Milan Radoiçiq u lejua të kalojë kufirin “ligjërisht”

Avokati serb Çedomir Stojkoviq i ka bërë sot thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të deklarohet nëse krimineli Milan Radoiçiq është lejuar të kalojë ligjërisht kufirin në Serbi.
Thirrja e tij vjen pasi policia kufitare e Serbisë deklaroi “se asnjë person të cilit i është lëshuar një ndalim për kalimin e kufirit shtetëror ose një kërkim aktiv nuk mund ta kalojë ligjërisht kufirin.”
Stojkoviq thotë se nga deklarata e policisë kufitare të Serbisë, duket se policia kufitare e lejoi Radoiçiqin të kalonte kufirin “ligjërisht”.
“Në fakt, ata nuk japin asnjë deklaratë nëse e kaloi apo jo kufirin. Dhe pastaj mbrohen me deklaratën se “personat që nuk kanë vendim gjykate për t’u larguar nga vendi mund ta kalojnë lirisht kufirin”. Për aq sa di publiku – Radoiçiqit iu ndalua të largohej nga banesa e tij. Kështu, kjo e konsumon ndalimin e kalimit të kufirit”, ka thënë avokati Stojkoviq.
Sipas avokatit Stojkoviq, rrjedh se në rastin e Radoiçiq, MPB-ja e Serbisë pretendon se “ndalim i largimit nga banesa” nuk do të thotë “ndalim i kalimit të kufirit” për ta.
“Nëse është vërtet kështu – është një skandal dhe një paligjshmëri e rëndë! U kërkoj gazetarëve të kërkojnë nga MPB-ja një përgjigje vendimtare: Nëse Radoiçiq është regjistruar në pikën kufitare si i tillë. Po, po, po. Dhe nëse po – kur dhe në cilin kontroll kufitar”.
Kujtojmë, se ka pasur raportime mediatike se Milan Radoiçiq, i cili mori pjesë në sulmin terrorist në Banjska më 2023, është larguar nga Serbia drejt Rusisë. Njoftimet u përhapën në mes të nëntorit 2026 në media rajonale dhe serbe, duke u bazuar edhe në deklarata jozyrtare të ish-inspektorit të BIA-s serbe, Milan Zvezdanoviq.
Gjykata e Lartë në Beograd i kishte vendosur më herët ndalimin e largimit nga Serbia, sekuestrimin e pasaportës dhe detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në polici. Sipas gjykatës, paraqitja e tij e fundit në polici është regjistruar më 1 nëntor 2026./KP

































