Zelensky këmbëngul për NATO-n, zbulon edhe mesazhin e Trump për liderët europianë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina dëshiron me ngulm të anëtarësohet në NATO, duke e cilësuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut si një prej garancive më të qarta të sigurisë për vendin. Në të njëjtën kohë, ai ka zbuluar edhe përmbajtjen e një bisede të presidentit amerikan Donald Trump me liderët europianë, gjatë së cilës ky i fundit u tha se Europa po shpenzon shumë para për Ukrainën dhe se këto fonde mund t’i përdorë për nevojat e veta pas përfundimit të luftës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të shtunën, Zelensky përsëriti se Kievi synon anëtarësimin në NATO, në një kohë kur çështja është rikthyer në diskutimet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Sigurisht, Ukraina dëshiron me ngulm të anëtarësohet në NATO”, deklaroi presidenti ukrainas, duke shtuar se anëtarësimi në Aleancë përbën një prej garancive më të qarta të sigurisë për vendin.
Çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, të cilën Uashingtoni e ka përjashtuar që prej vitit 2025, është rikthyer në tryezën e diskutimeve ditët e fundit. Gjatë takimit të së enjtes në Berlin me aleatët e Kievit, i dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi se SHBA-të mund të jenë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të parashikuara nga neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ky nen parashikon se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i pranishëm në takimin e Berlinit, u shpreh në favor të rihapjes së diskutimeve për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Nga ana tjetër, Pallati Élysée vlerësoi se ofrimi i garancive të sigurisë sipas modelit të nenit 5 do të ishte praktikisht i barasvlershëm me anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë.
Ndërkohë, Zelensky foli edhe për bisedën telefonike të Donald Trump me liderët europianë, gjatë takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën në Berlin. Sipas tij, presidenti amerikan u tha se Europa po shpenzon shumë para për luftën dhe se, pas përfundimit të saj, këto fonde mund t’i përdorë për nevojat e brendshme.
“Ai tha se Europa po shpenzon shumë para dhe se mund t’i shpenzojë ato në vendet e tyre pas përfundimit të luftës. Nuk u duk si kërcënim”, u shpreh Zelensky për gazetarët përpara takimit me ministrin britanik të Mbrojtjes, Wes Streeting, në Kiev.
Megjithatë, presidenti ukrainas tha se mbetet më skeptik se pala amerikane për gatishmërinë e Vladimir Putin për të bërë kompromise. Ai theksoi se ia kishte shprehur këtë qëndrim edhe ekipit negociator amerikan.
Putin nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit në këmbim të paqes. Zelensky e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke kujtuar se shumë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën duke mbrojtur këto territore që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022.
Zelensky mirëpriti gjithashtu deklaratat e fundit të të dërguarve amerikanë për përfshirjen e Europës si partnere të barabartë në procesin e paqes. Bisedimet, të cilat rifilluan këtë muaj në Abu Dhabi pas një ndërprerjeje nëntëmujore, pritet të vijojnë me një raund të ri negociatash, por ende duhet të përcaktohen axhenda dhe kalendari i tyre.
Presidenti ukrainas shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen që takimi i radhës të zhvillohet sa më shpejt, ndërsa paralajmëroi se Rusia mund të ndërmarrë hapa për ta shtyrë atë.
Ai përsëriti gjithashtu gatishmërinë për të marrë pjesë në samitin e G20-s, që Donald Trump pritet të organizojë muajin e ardhshëm në Miami, duke u shprehur i gatshëm edhe për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin. Deri tani, sipas tij, nuk ka marrë një ftesë.
Ndahet nga jeta Paolo Bulgari, mjeshtri i bizhuterive luksoze
Baroni meksikan i drogës në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së arrestohet pas shkëmbimit të zjarrit me policinë
Ministri i Jashtëm iranian: Ka argumente të arsyeshme për ndryshimin e doktrinës bërthamore
- 17:04 Ndahet nga jeta Paolo Bulgari, mjeshtri i bizhuterive luksoze
- 16:57 Aksident fatal në Fier, makina përplas për vdekje 80-vjeçarin me biçikletë
- 16:46 Protesta vijon në rrugët e Tiranës, qytetarët marshojnë nga “Myslym Shyri” drejt bulevardit
- 16:19 Bashkia e Tiranës reagon pas deklaratave të Ramës: Nuk jemi institucion në varësi të kryeministrit
- 16:09 Rama reagon pas fitores së Lara Colturit në Kupën e Botës: Ditë historike për sportin shqiptar
- 15:50 Kurti dhe liderët e rajonit mblidhen në Bruksel, kreu i Parlamentit serb nuk merr pjesë