Ndërsa qeveria e Edi Ramës vazhdon të promovojë buxhetet si më të mëdhatë dhe më socialet në histori, shifrat e Eurostat nxjerrin në pah një realitet shqetësues. Shqipëria renditet në fund të vendeve të krahasuara për shpenzimet e mbrojtjes sociale për banor, me vetëm 1,203 euro në vit, ose rreth 100 euro në muaj. Këto para përfshijnë pensionet, kujdesin shëndetësor, ndihmën ekonomike, pagesat e papunësisë dhe mbështetjen për familjet.
Hendeku me Europën është i thellë. Sipas të dhënave të cituara, mesatarja e Bashkimit Europian arrin në 10,974 euro për banor në vit, rreth 9 herë më shumë se Shqipëria. Edhe Bullgaria, ndër vendet me shpenzimet më të ulëta në BE, shpenzon 3,219 euro për frymë. Ndërkohë, Mali i Zi alokon 2,344 euro, Serbia 2,302 euro dhe Bosnje-Hercegovina 1,635 euro, duke e lënë Shqipërinë pas edhe në krahasimin rajonal.
Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur shpenzimet maten në raport me ekonominë. Shqipëria shpenzon rreth 11.45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për përfitime sociale, ndërsa mesatarja e BE-së është mbi 27%. Kjo ndodh në një kohë kur qeveria ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2027 me vlerë rreth 10 miliardë euro, duke premtuar më shumë mbështetje për pensionistët dhe familjet në nevojë.
Shifrat ngrenë pikëpyetje serioze për nivelin e mbrojtjes sociale në vend. Pavarësisht rritjes së buxhetit nga viti në vit, Shqipëria mbetet shumë larg standardeve europiane dhe atyre të rajonit. Në një kohë kur qytetarët përballen me koston e jetesës, krahasimi me vendet fqinje tregon se rritja e shpenzimeve sociale mbetet një sfidë e madhe për qeverinë.