Lajmi i fundit

Rama jepe dorëheqjen! Protesta vijon para kryeministrisë

Arrestohet shoferi shqiptar në Francë, kapet me 114.6 kilogramë kokainë në kamion

Arrestohet shoferi shqiptar në Francë, kapet me 114.6 kilogramë kokainë në kamion

17:48, 21/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shqiptar 50-vjeçar është arrestuar në Francë, pasi në kamionin që drejtonte u zbuluan 114.6 kilogramë kokainë. Sasia e madhe e drogës u sekuestrua nga autoritetet doganore në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, më 18-19 nëntor.

Sipas medias franceze ‘La Provence’, kamioni me targa italiane po transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar, kryesisht produkte ushqimore, kur u ndalua nga doganierët për një kontroll rutinë, pak pas mesnatës.

Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet zbuluan se në mbajtësen e bobinave, një pjesë e kamionit që shërben për stabilizimin e ngarkesës, ishte fshehur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Në total, doganierët sekuestruan 114.6 kilogramë kokainë.

Shoferi shqiptar u arrestua dhe më pas iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), në kuadër të policisë gjyqësore në Marsejë. Ai është lënë në paraburgim në pritje të daljes përpara gjykatës.

Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në kamion. Sipas versionit të tij, lënda narkotike ishte vendosur në automjet pa dijeninë dhe pëlqimin e tij.

Mediat franceze raportojnë gjithashtu se shqiptari nuk ka precedentë penalë dhe nuk ishte i njohur më parë për drejtësinë franceze.

Ai pritet të dalë përpara Gjykatës së Tarasconit këtë të martë, më 24 nëntor, në procedurë të gjykimit të menjëhershëm. Ndaj tij rëndojnë akuzat për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara sipas legjislacionit doganor francez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco