Ministri britanik i Mbrojtjes pritet nga Zelensky në Kiev: Putin, “vrasës gjakftohtë”

21 Nëntor 2026 | 17:57

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si një “vrasës gjakftohtë”, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.

Gjatë deklaratave të tij, Streeting theksoi se Putin duhet të gjykohet nga veprimet dhe jo nga fjalët, duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj Ukrainës, veçanërisht atyre që kanë në shënjestër infrastrukturën civile.

“Nuk mjafton që Putini të shfaqet në samitet ndërkombëtare, të ecë mbi tapetin e kuq dhe të flasë gjuhën e paqes, nëse në ditët që pasojnë shohim bombardime të rënda, veçanërisht ndaj infrastrukturës civile. Ai është një vrasës gjakftohtë”, deklaroi ministri britanik.

Nga ana e tij, Zelensky bëri të ditur se Rusia ka sulmuar 109 herë urat në Ukrainë, duke përdorur raketa dhe dronë.

Presidenti ukrainas i cilësoi plotësisht të justifikuara sulmet hakmarrëse të Ukrainës ndaj Urës së Krimesë, e cila lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar.

Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm lidhur me gatishmërinë e Vladimir Putinit për të bërë kompromise reale në negociatat për paqen, duke vënë në pikëpyetje sinqeritetin e qëndrimit të Moskës në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Takimi mes Streeting dhe Zelenskyt vjen në një moment tensionesh të shtuara, pas sulmeve të fundit ruse ndaj Ukrainës dhe incidenteve me raketa e dronë rusë në territorin polak.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sisteme elektronike dhe raketa, Greqia negocion marrëveshje të reja armësh me Izraelin

Greqia dhe Izraeli po diskutojnë marrëveshje të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, me një vlerë që mund të arrijë deri në 1 miliard euro....
17:46 | 21/11/2026

Zelensky këmbëngul për NATO-n, zbulon edhe mesazhin e Trump për liderët europianë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina dëshiron me ngulm të anëtarësohet në NATO, duke e cilësuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut...
17:37 | 21/11/2026

Ndahet nga jeta Paolo Bulgari, mjeshtri i bizhuterive luksoze

Paolo Bulgari, një prej figurave më të rëndësishme të shtëpisë së famshme italiane të bizhuterive Bulgari, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Lajmi është...
17:04 | 21/11/2026