Në media rajonale dhe serbe u raportua në mes të nëntorit 2026 se Milan Radoiçiq, pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjska gjatë vitit 2023, ishte larguar nga Serbia drejt Rusisë. Këto informacione u mbështetën edhe në deklaratat jozyrtare të ish-inspektorit të BIA-s serbe, Milan Zvezdanoviq.
Më herët, Gjykata e Lartë në Beograd i kishte ndaluar Radoiçiqit largimin nga Serbia, i kishte sekuestruar pasaportën dhe e kishte detyruar të paraqitej periodikisht në polici. Sipas gjykatës, regjistrimi i tij i fundit në polici daton më 1 nëntor 2026.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë, avokati serb Çedomir Stojkoviq i kërkoi sot Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë të sqarojë nëse krimineli Milan Radoiçiq u lejua ta kalonte kufirin në mënyrë ligjore në Serbi.
Thirrja e tij erdhi pasi policia kufitare serbe deklaroi se asnjë person, të cilit i është vendosur ndalim për kalimin e kufirit shtetëror ose ndaj të cilit është lëshuar kërkim aktiv, nuk mund ta kalojë ligjërisht kufirin.
Sipas Stojkoviqit, nga ajo deklaratë e policisë kufitare del se Radoiçiqit iu lejua kalimi i kufirit “ligjërisht”.
Ai theksoi se në fakt nuk jepet asnjë njoftim nëse Radoiçiq e kaloi apo jo kufirin, dhe se autoritetet mbrohen duke thënë se personat që nuk kanë vendim gjykate për t’u larguar nga vendi mund ta kalojnë lirisht kufirin. “Për aq sa di publiku, Radoiçiqit iu ndalua të largohej nga banesa e tij. Kështu, kjo e konsumon ndalimin e kalimit të kufirit”, u shpreh Stojkoviq.
Avokati shtoi se në këtë rast MPB-ja e Serbisë duket se e interpreton “ndalimin e largimit nga banesa” sikur nuk nënkupton “ndalimin e kalimit të kufirit”.
“Nëse është vërtet kështu, kemi një skandal dhe një paligjshmëri të rëndë! U kërkoj gazetarëve të kërkojnë nga MPB-ja një përgjigje vendimtare: Nëse Radoiçiq është regjistruar në pikën kufitare si i tillë. Po, po, po. Dhe nëse po, kur dhe në cilin kontroll kufitar”, përfundoi ai.








