Protesta e thirrur nga studentët vijon në rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrësit kanë zgjedhur të marshojnë pasi bllokuan qarkullimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Gjatë lëvizjes, policia ka vendosur kordone në disa rrugë për të penguar avancimin e protestuesve. Fillimisht, turma marshoi në Rrugën e Kavajës, ku u përball me një bllokadë policore dhe u detyrua të ndryshonte drejtim, duke u kthyer në zonën qendrore të qytetit.
Më herët, pas bllokimit të Rrugës së Durrësit, protestuesit vijuan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit. Ndonëse fillimisht u raportua se synonin të shkonin drejt selisë së Partisë Socialiste, itinerari u ndryshua gjatë zhvillimit të protestës.
Aktualisht, protestuesit janë pozicionuar pranë Kryeministrisë. Gjatë marshimit janë djegur edhe disa kazanë mbeturinash, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente në përplasjet me policinë.
