Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Nezir Kraki, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë Kosovën me standarde të njëjta në procesin e integrimit evropian, duke marrë parasysh edhe sfidat e sigurisë në rajon.

Kraki ka bërë të ditur se këto çështje i ka ngritur gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 38-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë (APF), të mbajtur në Bruksel, ku mori pjesë si kryesues i delegacionit të Kosovës.


Në kuadër të temës “Evropa përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”, ku i pranishëm ishte edhe ish-kryeministri i Belgjikës dhe aktualisht eurodeputeti, Elio Di Rupo, Kraki tha se kishte ngritur dy çështje kryesore.

E para lidhej me trajtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, për çka ai pyeti pse Bashkimi Evropian nuk po zbaton standarde të njëjta për Kosovën, duke kërkuar që vendi të përfitojë nga kriteret gjeopolitike të sigurisë, ashtu si Ukraina dhe Moldavia.

Çështja e dytë ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Kraki tha se, në praninë e mbi 30 delegacioneve, u bëri thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë, duke theksuar se një veprim i tillë do të dëshmonte respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Sipas Krakit, gjatë diskutimit, Di Rupo shprehu shpresën për një qasje të re nga pushteti i ri në Serbi, pasi marrëdhëniet me Beogradin po e pengojnë integrimin e Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ai tha se secili vend i ka problemet e veta të brendshme dhe se nuk ishte në pozitë t'u tregonte se çfarë duhet të bënin.

Kraki e ka kritikuar këtë përgjigje, duke e cilësuar si një mënyrë evropiane për të shtyrë kohën pa guxim për t'i zgjidhur problemet reale.

Asambleja Parlamentare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1967 dhe sot numëron 100 delegacione nga parlamentet kombëtare dhe rajonale. Kosova është anëtare e asociuar e kësaj organizate që nga viti 2022./Telegrafi/