Edhe këtë të shtunë, qytetarë dhe studentë kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, në vijim të tubimeve të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.
Protestuesit janë vendosur fillimisht në “Rrugën e Durrësit”, ku kanë bllokuar për disa momente qarkullimin e automjeteve. Policia u ka bërë thirrje të lirojnë rrugën dhe i ka zhvendosur në trotuar, por protestuesit janë rikthyer sërish në rrugë, duke bllokuar qarkullimin.
Policia ka krijuar një kordon sigurie në të dy anët e “Rrugës së Durrësit”, ndërsa forcat e saj kanë qëndruar në ndjekje të protestuesve gjatë gjithë marshimit.
Pas rreth një ore qëndrimi para Ministrisë së Arsimit, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit. Nga Ministria e Arsimit, ata kanë vijuar në rrugën “Myslym Shyri” dhe më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë tubimit nuk janë shënuar incidente, ndërsa është raportuar vetëm për djegien e mbeturinave në disa kosha. m.k





