Nis Asambleja e PS-së në Tiranë, në fokus zgjedhjet vendore dhe gara për kryeqytetin

Ka nisur Asambleja e Partisë Socialiste në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në nisje të Asamblesë, duke thënë se buxheti 2027 është pasqyra kuptimplotë.
Mbledhja vjen në një periudhë kur partitë politike duhet të përcaktojnë strategjitë, të mobilizojnë strukturat dhe të nisin përgatitjet për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë secilën forcë politike në zgjedhjet për bashkitë.
Për Partinë Socialiste, Tirana mbetet një nga betejat më të rëndësishme elektorale, jo vetëm për numrin e madh të votuesve, por edhe për peshën politike që ka drejtimi i bashkisë më të madhe në vend.
Në këtë kuadër, takimi pritet të shërbejë për diskutimin e organizimit të strukturave socialiste në kryeqytet dhe përgatitjen e tyre për fushatën e ardhshme.
Një nga çështjet që mbetet e hapur është edhe kandidatura me të cilën socialistët do të hyjnë në garën për Bashkinë e Tiranës. Deri tani nuk ka një emër të konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale për përzgjedhjen e kandidatit gjatë mbledhjes së Asamblesë.
Takimi pason edhe mbledhjen e zhvilluar këtë të premte nga Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku u diskutuan përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe forcimi i komunikimit të socialistëve me qytetarët.
360grade.al



















