Tech Top Tech - News

Amerika ndaloi çdo avion – e premte 13, një ruter dhe teoritë e konspiracionit

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

E Premte, 13 Nëntor. Rreth orës katër pasdite. Amerika ndalon çdo avion në gjithë vendin.

Administrata Federale e Aviacionit, FAA, nxori urdhrin: asnjë avion nuk niset, nga asnjë aeroport në Amerikë. Arsyeja zyrtare? “Rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie.” Asgjë më shumë.

Tani mendoni pak. E Premte, date 13. E njëjta ditë që SpaceX nis raketën më të madhe në botë. E njëjta javë që shefi i Nvidia-s ikën për shkak të një spiuneje të dyshuar. E njëjta javë që qeveria amerikane nis të përdorë një mjet të ri me AI për kontrolluesit e trafikut ajror.

Recetë perfekte për teori konspiracioni. A ishte sulm kibernetik? A e mori AI kontrollin e qiellit? A po ndodh diçka me botën që nuk na e thonë?

Ja çfarë dimë. Për mbi katër orë, mbi 10 mijë fluturime u prekën. Pasagjerët mbetën në aeroporte, avionët nëpër pista. Sekretari i Sigurisë së Brendshme tha se nuk kishte asnjë shenjë për sulm të qëllimshëm. FAA tha se mjeti i ri me AI nuk ka lidhje.

Dhe shkaku? Burimet thonë se një përditësim në rrjetin privat të komunikimit të kontrollit ajror e bëri sistemin të rindizet, pastaj të bjerë. Sekretari i Transportit, Sean Duffy, tha se ruterat dhe switch-et u mbingarkuan me të dhëna. Pra, mbi 10 mijë fluturime u ndalën nga një përditësim.

Dhe ja pjesa që të frikëson më shumë se çdo konspiracion: një raport qeveritar kishte paralajmëruar që sistemi amerikan i kontrollit ajror përdor ende kabllo bakri që nga vitet ’60.

Pra vendi që kap raketa në ajër me krahë metalikë, i mban avionët në tokë me kabllo të vjetra sa gjyshi im.

Ndoshta s’ka konspiracion. Ndoshta bota thjesht ka nevojë për një restart.