Ka përfunduar protesta e 175-të e thirrur nga studentët në kryeqytet, e cila nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit.

Në nisje të tubimit, protestuesit shpalosën një banderolë të madhe me mesazhin “Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes”. Gjithashtu, disa prej tyre dogjën fotografinë e kryeministrit Edi Rama, e vendosur në kangjellat e godinës së ministrisë.

Pas grumbullimit, pjesëmarrësit dolën në rrugët e Tiranës, duke bllokuar fillimisht qarkullimin pranë Ministrisë së Arsimit. Fillimisht u përmend si destinacion selia e Partisë Socialiste, por itinerari u ndryshua gjatë marshimit.

Protestuesit vijuan drejt Rrugës së Kavajës, ku u ndaluan nga një kordon policie. Pas pamundësisë për të vijuar në atë drejtim, turma u kthye drejt qendrës së kryeqytetit.

Gjatë marshimit u regjistruan edhe incidente, pasi disa pjesëmarrës u vunë flakën kazanëve të mbeturinave. Ndërkohë, policia vendosi kordone në disa akse rrugore për të kufizuar lëvizjen e protestuesve.

Në përfundim, turma u pozicionua pranë Kryeministrisë, ku edhe u mbyll tubimi i sotëm.