Ka përfunduar protesta studentore dhe rinore e zhvilluar sot në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.
Pas disa orësh protestë dhe marshimi në rrugët e kryeqytetit, të rinjtë dhe studentët janë ndalur për një kohë të gjatë përpara godinës së Kryeministrisë, ku kanë përcjellë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për kreun e qeverisë.
Në një akt simbolik, protestuesit kanë shkruar në muret e Kryeministrisë mesazhin “28 Nëntor, dorëheqje”, duke shprehur kërkesën për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Mesazhi vjen në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 Nëntorin, e cila pritet të mbledhë në Tiranë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, si dhe pjesëmarrës nga diaspora.
Protesta e sotme studentore dhe rinore zhvillohet në kuadër të thirrjeve për mobilizim kundër qeverisë, ndërsa 28 Nëntori është caktuar si dita e protestës së madhe në kryeqytet.
© SYRI.net