Zelensky: Ukraina dëshiron siguri të garantuar për paqen

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka rikthyer në vëmendje çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke deklaruar se ky është mekanizmi më i qartë dhe më i fortë për garantimin e sigurisë së vendit të tij.
Në një reagim në platformën X, Zelensky bëri të ditur se çështja e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë u diskutua gjatë takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve.
Sipas tij, aleatët e kuptojnë se anëtarësimi në NATO përbën garancinë më të qartë të sigurisë për Ukrainën, ndërsa integrimi i Kievit do të forconte edhe vetë Aleancën.
“Rruga më e qartë për të forcuar NATO-n është përfshirja e Ukrainës. Kjo funksionon për të dyja palët, Ukrainën dhe NATO-n”, shkroi presidenti ukrainas.
Megjithatë, Zelensky pranoi se ende nuk është e qartë se si do të sigurohen garancitë e sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me ato që parashikon Neni 5 i Traktatit të NATO-s.
Ai theksoi se garancitë nuk duhet të jenë të përkohshme apo të kufizohen vetëm në vitet e presidencës së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Duhet t’i garantojmë Ukrainës, para së gjithash qytetarëve tanë, dhe gjithë Europës se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë të forta jo vetëm për këto dy vite, gjatë të cilave Donald Trump do të jetë president i Shteteve të Bashkuara, por edhe përtej tyre”, deklaroi Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas nënvizoi se vendi i tij po lufton për të mbrojtur të ardhmen e tij dhe se për këtë arsye kërkon garanci afatgjata.
“Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin tonë jo vetëm për dy vite. Dhe na duhen garanci sigurie jo për dy vite, por përgjithmonë”, shtoi ai.
Në reagimin e tij, presidenti ukrainas iu referua edhe takimit të fundit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, duke komentuar përshëndetjen miqësore mes dy liderëve.
“Edhe nëse Putini dhe Trump janë miq, siç u duk së fundmi, ideja se Putini mund të ketë frikë të ndërmarrë diçka apo të nisë një tjetër agresion vetëm për dy vite, nuk funksionon për ne”, përfundoi presidenti ukrainas.




