Një anije mallrash ruse, e cila transportonte furnizime drejt enklavës së Kaliningradit, është goditur nga një sulm me dron në Gjirin e Finlandës. Anija “Sparta II” ka marrë flakë pas incidentit të ndodhur të shtunën dhe më pas ka ndryshuar kursin, duke përfunduar në ujërat territoriale të Finlandës.

Sipas autoriteteve finlandeze, sulmi është regjistruar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, në perëndim të ishullit Suursaari. Vlerësimet paraprake ngrenë dyshime se pas goditjes mund të qëndrojë Ukraina.

Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, reagoi për incidentin duke paralajmëruar se lufta po afrohet gjithnjë e më shumë pranë vendit të tij. “Lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme”, deklaroi ai, duke shtuar se Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresionit.

Nga ana tjetër, guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, bëri të ditur se, sipas informacioneve paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë. Ai siguroi gjithashtu se furnizimet drejt enklavës ruse nuk janë në rrezik.

Anija “Sparta II” është përfshirë në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që prej vitit 2022, ndërsa Ukraina e ka sanksionuar gjatë këtij viti. Ajo operohet nga një kompani ruse, e cila, sipas të dhënave në faqen e saj zyrtare, është krijuar në strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në vitin 2011 dhe që prej vitit 2015 vepron në sektorin e ndërtimit ushtarak.

Pas incidentit, autoritetet finlandeze vendosën përkohësisht kufizime në hapësirën ajrore dhe detare të zonës. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi për një tjetër incident, ku dyshohet se një helikopter rus ka shkelur hapësirën ajrore të vendit. Ende nuk është përjashtuar mundësia që kjo lëvizje të ketë qenë e lidhur me operacionet e shpëtimit ose gjurmimit të anijes.

Një anije ruse shpëtimi iu afrua “Sparta II”, por ekuipazhi bëri të ditur se nuk kishte nevojë për evakuim. Sipas guvernatorit të Kaliningradit, personeli në bord po kryen veprimet e nevojshme dhe synon të vijojë udhëtimin.

Roja Bregdetare finlandeze konfirmoi se anëtarët e ekuipazhit nuk janë detyruar të braktisin anijen. Gjithashtu, nuk është konstatuar ndotje e mjedisit dhe nuk ka rrezik të raportuar për trafikun detar apo njerëzit.

Kaliningradi është një enklavë ruse në brigjet e Detit Baltik, e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë.