Aeroporti i Brukselit njoftoi sot se shumica e fluturimeve të planifikuara do të anulohen të hënën, pasi personeli i kontrollit të trafikut ajror do të marrë pjesë në një demonstratë kombëtare në Belgjikë.
“Për fat të keq, Aeroporti i Brukselit pret ndërprerje të konsiderueshme në operacionet e tij gjatë asaj dite. Transporti publik drejt dhe nga Aeroporti i Brukselit gjithashtu do të preket,” thuhet në një deklaratë në faqen e tij të internetit.
Përveç transportit ajror, do të ketë probleme edhe në transportin publik drejt dhe nga aeroporti, çka pritet të vështirësojë lëvizjen e udhëtarëve.
Autoritetet e aeroportit u kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimeve të tyre dhe të kontaktojnë kompanitë ajrore për informacion mbi ndryshimet e mundshme në oraret e udhëtimit.
Greva kombëtare në Belgjikë pritet të shkaktojë ndërprerje në disa sektorë, ndërsa transporti ajror dhe ai publik do të jenë ndër shërbimet më të prekura.


