Përshkallëzim në Detin Baltik, sulmohet me dron anija e sanksionuar ruse “Sparta II”, shpërthen zjarr në bord

Një anije ruse mallrash është goditur nga një dron në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Finlandës, duke shkaktuar zjarr dhe shpërthime në bord. Ngjarja ka nxitur reagimin e menjëhershëm të kryeministrit finlandez, Petteri Orpo, i cili ka mbrojtur të drejtën e Kievit për të goditur objektiva ruse.
Përmes një reagimi në platformën X, kryeministri Orpo e cilësoi incidentin si një tregues të afrimit të konfliktit pranë kufijve veriorë të Evropës, duke u shprehur se “lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme. Ukraina ka të drejtë të hakmerret kundër agresorit”.
Sipas njoftimit të Ministrisë finlandeze të Mbrojtjes dhe Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit Ajror dhe Detar të Policisë Estoneze dhe Rojës Kufitare (PPA), mjeti lundrues i goditur është identifikuar si anija ruse “Sparta II”, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu. Qendra estoneze e shpëtimit bëri të ditur, siç raportoi transmetuesi publik ERR, se kishte marrë sinjalizime që në orët e mëngjesit për shpërthime fillestare dhe rënie zjarri në bord.
E kontaktuar nga agjencia AFP, Roja Bregdetare finlandeze sqaroi se ende nuk ka të dhëna të konfirmuara nëse sulmi me dron ka shkaktuar viktima apo të lënduar, ndërsa shtoi se ekuipazhi nuk ka kërkuar evakuim.
“Ne kemi anijet tona në vendin e incidentit, gati për t’u evakuuar nëse është e nevojshme, por ajo që dimë për momentin është se ata nuk e kanë braktisur anijen dhe po ndjekin procedurat e tyre të shuarjes së zjarrit”, deklaroi një oficer i Rojës Bregdetare finlandeze.
Anija “Sparta II” është një emër i njohur për autoritetet perëndimore të sigurisë. Sipas të dhënave të platformës Opensanctions dhe inteligjencës ushtarake ukrainase, kjo anije është e përfshirë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe të Ukrainës, nën dyshimet e forta se përdoret nga Moska për transportimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, përfshirë dërgesat nga Siria drejt Rusisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




