Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është shtruar në repartin e kujdesit intensiv në një spital në Brasilia, pasi ka zhvilluar një bllokim akut të zorrëve.
71-vjeçari ndodhet në gjendje klinikisht të qëndrueshme, është i vetëdijshëm dhe merr frymë pa ndihmë mekanike, bëjnë të ditur mjekët.
Bolsonaro u shtrua në spitalin DF Star të premten, pas shfaqjes së problemeve shëndetësore. Sipas deklaratës mjekësore, për shkak të bllokimit të zorrëve, mjekët i kanë vendosur një tub nazogastrik, përmes të cilit mundësohet administrimi i ushqimit dhe lëngjeve, pasi ish-presidenti nuk mund të ushqehet nga goja.
Në njoftimin e spitalit theksohet se gjendja e tij është e qëndrueshme, por ende nuk ka një parashikim se kur mund të përfundojë qëndrimi në spital.
Bolsonaro, i cili drejtoi Brazilin nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndodhet nën arrest shtëpiak pasi u dënua për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti, me synimin për të penguar transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.
Problemet shëndetësore të ish-presidentit kanë qenë të përsëritura gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas plagosjes me thikë gjatë fushatës elektorale të vitit 2018, ngjarje që i shkaktoi disa ndërhyrje kirurgjikale në zonën e barkut.


