Prodhon disa nga veturat më të shpejta në botë, zbulohet sa vlen Koenigsegg
Prodhuesi suedez i hiperveturave luksoze, Koenigsegg, ka siguruar një investim të ri që e vlerëson kompaninë në rreth 1.3 miliard euro.
Fondi i investimeve 65 Equity Partners, me seli në Singapor, do të investojë 20 milionë euro, duke u bërë aksionar minoritar i kompanisë.
Investimi synon të përshpejtojë zgjerimin e prodhimit, zhvillimin e teknologjive të reja dhe përmirësimin e sistemeve të biznesit.
Koenigsegg ka shënuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit, duke realizuar të ardhura prej 155 milionë eurosh në vitin 2025, rreth 80 për qind më shumë krahasuar me vitin 2022.
Pavarësisht investimit, themeluesi Christian von Koenigsegg do të mbetet aksionari kryesor dhe do të vazhdojë ta udhëheqë kompaninë.
Ndërkohë, prodhuesi suedez ka nisur prodhimin e modelit Gemera, një hiperveturë me katër ulëse dhe fuqi prej 2,300 kuajsh, e cila do të prodhohet në vetëm 300 njësi.
Kompania ka prezantuar gjithashtu modelin CCGT1, me motor V8 biturbo që zhvillon deri në 1,600 kuaj fuqi. /Telegrafi/




























