Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i ka bërë të qartë Barcelonës se nuk do të tërhiqet përpara se të sqarohen të gjitha rrethanat e çështjes Negreira, ndërsa nuk ka kursyer kritikat as ndaj kreut të La Ligës, Javier Tebas.
Sipas të përditshmes sportive AS, Perez u është drejtuar anëtarëve të klubit në të njëjtin mjedis ku kishte fituar edhe rizgjedhjen si president mbi gjashtë muaj më parë. Ai kaloi në fokus çështjet kryesore të klubit dhe perspektivën, përfshirë projektin “Bernabeu Infinito” dhe marrëveshjen me UEFA-n.
Të lidhura
None found
“Çështja Negreira nuk është problem i Real Madridit. Ne mund të jemi viktima kryesore, por bëhet fjalë për një mashtrim në shkallë të gjerë, që ka prekur të gjitha garat vendore dhe ndërkombëtare të ndërlidhura mes tyre”, theksoi Perez.
Ai nënvizoi se detyra për të nxjerrë në dritë këtë rast bie mbi të gjithë ata që marrin pjesë në kompeticione dhe mbi institucionet që i mbikëqyrin.
“Është problem i të gjithëve që marrin pjesë në këto gara dhe i institucioneve që kanë për detyrë t’i mbikëqyrin. Nuk do të ndalem derisa të gjithë përgjegjësit të japin llogari”, shtoi ai, i shoqëruar nga duartrokitjet e të pranishmëve.
Më pas, Perez vuri në dyshim faktin që Real Madridi po e çon i vetëm përpjekjen për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Është e vështirë të kuptohet përse Real Madridi duhet të jetë i vetmi klub i interesuar për ta zbardhur këtë çështje, ndonëse ajo është problem i të gjithëve. Kjo ngre pikëpyetje për palët e tjera të përfshira, veçanërisht La Ligën dhe Federatën Spanjolle të Futbollit, përgjegjësia kryesore e të cilave është mbrojtja e integritetit të garës”, u shpreh presidenti.
Në fund, ai kritikoi institucionet se nuk vepruan përpara se UEFA të përfshihej në këtë dosje.
“Ata nuk bënë asgjë përpara UEFA-s dhe Real Madridi u detyrua t’i mbledhë vetë informacionet dhe ta paraqesë ankesën. UEFA e dërgoi rastin në Komitetin e Etikës dhe Disiplinës në tetor të vitit të kaluar”, përfundoi Perez.




