Bilanci i diskutueshëm i koncesioneve
Për më shumë se një dekadë, koncesionet dhe Partneritetet Publike-Private (PPP) u shndërruan në një nga aktivitetet më fitimprurëse të ekonomisë shqiptare.
Në shumë raste, marrëveshjet u siguronin operatorëve privatë fitime pothuajse të garantuara, ndërsa rreziqet financiare mbeteshin kryesisht mbi shtetin. Ky model u bë veçanërisht tërheqës për bizneset, duke krijuar një treg të veçantë të shërbimeve publike të kontraktuara për periudha afatgjata.
Por, pas më shumë se një dekade, bilanci i këtyre marrëveshjeve është bërë gjithnjë e më i diskutueshëm.
Hetimet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë evidentuar raste të dyshuara abuzimi me miliona euro nga fondet publike, përfshirë pagesa për shërbime dhe punime të pakryera.
Rasti i inceneratorëve është kthyer në një nga shembujt më të njohur të problemeve me administrimin dhe kontrollin e kontratave koncesionare.
Megjithëse për vite me radhë, koncesionet u karakterizuan nga siguria e të ardhurave, rreziku i kufizuar financiar për operatorët dhe norma fitimi që tejkalonin ato të shumë sektorëve të tjerë, një pjesë e projekteve janë vënë në pikëpyetje për përfitimin real që kanë sjellë për publikun.
Në fusha si menaxhimi i mbetjeve dhe shëndetësia, hetimet kanë përfshirë parregullsi të dyshuara në dhënien, zbatimin dhe financimin e kontratave.
Pas më shumë se dhjetë vitesh dominim në renditjen e aktiviteteve me kthimet më të larta, viti 2022 shënoi një kthesë në ecurinë financiare të koncesioneve.
Normat e fitimit për shumë operatorë nisën të bien, tendencë që vijoi edhe gjatë periudhës 2023-2025.
Ndërkohë, disa kontrata koncesionare kanë përfunduar, por në disa raste, vendin e tyre e kanë zënë ndërmarrje shtetërore, të cilat po regjistrojnë gjithashtu norma të larta fitimi, duke treguar se përfitimi financiar nuk është zhdukur, por është zhvendosur, si në rastin e prodhuesit të dokumenteve elektronike “Identitek”, që është në listën e 20 shoqërive më të mëdha sipas fitimeve në vend.
Në praktikën ndërkombëtare, kompanitë që ofrojnë shërbime publike në kushte monopoli zakonisht rregullohen me parimin që tarifat të mbulojnë kostot e shërbimit, investimet e nevojshme dhe një kthim të arsyeshëm, por jo të prodhojnë norma të larta fitimi të shkëputura nga cilësia e shërbimit.
Koncesionet e shëndetësisë në vitin 2026 po administrohen nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH sh.a.), shoqëri me kapital 100% shtetëror, e krijuar në dhjetor 2025, së cilës i janë transferuar përgjegjësitë për sterilizimin, hemodializën dhe kontrollin mjekësor (check up).
Gjatë vitit 2025 dhe pjesës së parë të 2026-s përfunduan tre koncesione të shëndetësisë.
“SaniService”, që fitoi në vitin 2015 koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar, kishte në 2025-n, vitin e fundit të aktivitetit.
Kompania deklaroi të ardhura 1.56 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse njëlloj me vitin e mëparshëm dhe fitime 11 milionë lekë, katër herë më të ulëta se vitin e mëparshëm.
Shërbimi tashmë i ka kaluar shtetit. Në janar 2026, qeveria krijoi një shoqëri aksionere me kapital 100% shtetëror “Operatori i shërbimeve të integruara të sterilizimit” sh.a. për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit.
Shoqëria e re shtetërore do të marrë përsipër të gjithë zinxhirin e shërbimeve të sterilizimit, nga furnizimi me instrumente kirurgjikale sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, deri te menaxhimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, trajtimi i mbetjeve spitalore me rrezik biologjik dhe digjitalizimi i procesit.
Të gjitha tarifat e këtyre shërbimeve do të arkëtohen nga vetë shoqëria, e cila do të financohet nga të ardhurat e saj dhe burime të tjera të ligjshme, duke ruajtur formalisht karakterin e shërbimit publik.
Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic”, përfundoi në shtator 2026 dhe shërbimi ka kaluar nën administrimin e shtetit.
Në vitin e fundit të plotë të aktivitetit, kompania raportoi të ardhura prej 731 milionë lekësh në 2025-n, në të njëjtin nivel me një vit më parë. Fitimet e shoqërisë ishin 274 milionë lekë, me një normë para taksave prej 38%.
Aktiviteti kryesor i biznesit të shoqërisë përfshinte paketën e shërbimit të kontrollit mjekësor për moshat 40-65 vjeç, për një periudhë prej 10 vjetësh, siç parashikohet në marrëveshjen e koncesionit nënshkruar ndërmjet “3P Life Logistic” sh.p.k. dhe Ministrisë së Shëndetësisë, më 7 janar 2015.
Në tetor 2026, kompania ka hequr nga QKB të gjitha adresat ku ushtronte aktivitetin.
Sipas njoftimeve zyrtare, edhe ky shërbim tashmë administrohet nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH sh.a.). Operatori merr përsipër organizimin e rrjetit të laboratorëve, transportin dhe analizimin e mostrave, furnizimin me materiale mjekësore dhe administrimin e sistemeve informatike.
Shërbimi kryhet nga personeli i qendrave shëndetësore dhe financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Njëkohësisht është hequr kufiri i sipërm i moshës 70 vjeç, duke e zgjeruar përfitimin e Check-up-it falas për të gjithë qytetarët mbi 35 vjeç.
Edhe kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, e përfundoi kontratën në tetor të 2026-s pas 10 vitesh.
Kompania raportoi në vitin 2025 rreth 937 milionë lekë të ardhura, me rritje 4.3% me bazë vjetore, ndërsa raportoi humbje prej 12 milionë lekësh në 2025-n, sipas pasqyrave financiare. “DiaVita” ofroi shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.
Edhe administrimin e hemodializës e ka marrë OSHISH. OSHISH do të marrë përgjegjësinë për organizimin e shërbimit, mirëmbajtjen e aparaturave, furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, si dhe garantimin e vazhdimësisë së trajtimit të pacientëve. Kompanitë private mund të vijojnë të ofrojnë furnizime dhe shërbime mbështetëse, por administrimi dhe përgjegjësia për hemodializën do të jenë shtetërore.
“Laboratory Networks”, koncesioni i katërt i shëndetësisë përfundon në vitin 2028, duke mbetur i vetmi aktiv. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, arritën në nivelin më të lartë që kur filloi zbatimi i tij, në shifrën e 2 miliardë lekëve, me zgjerim 10% me bazë vjetore.
Ky është dhe koncesioni që po merr pagesat më të mëdha në fushën e shëndetësisë, të cilat kanë dalë përtej parashikimit për shkak të projeksioneve të gabuara për nevojën për analiza. Pas disa viteve me fitime të larta, në vitin 2024 dhe 2025, kompania deklaroi një rezultat minimal prej përkatësisht 74 dhe 84 milionë lekësh, duke dalë nga lista e fitimeve.
Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Shoqëria në vitin 2025 kishte 217 laborantë dhe 45 mjekë.
Në vitin 2024 përfunduan dhe kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave. Nga janari 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave kryhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
Një tjetër koncesion që përfundoi në vitin 2024 ishte ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Më 31 korrik 2023 përfundoi dhe kontrata me “Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë.
Kompania shtetërore, që kryen tashmë shërbimin e dokumenteve të identitetit, “Identitek”, pasi hyri në 2024-n në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve, në vitin 2025 ajo u rendit në vendin e 16-të.
Kompania ka raportuar të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh në 2025-n, me rënie vjetore 3.8%. Por, aktiviteti ka qenë pozitiv për fitimet që kanë arritur në gati 1.8 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro), me rritje 10% nga viti i mëparshëm. Norma e fitimit para taksave ishte gati 51%, ndër më të lartat në ekonomi.
Shtetasit shqiptarë kanë ndërkohë kostot më të larta në rajon për marrjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Në Shqipëri, për të marrë një pasaportë biometrike, duhen paguar 7500 lekë, ose rreth 75 euro.
Me afat të përshpejtuar, për 2-3 ditë, tarifa rritet në 18 mijë lekë (rreth 180 euro). Mesatarja europiane luhatet në rreth 70–80 euro, pra dukshëm më e lartë se vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çmimet janë mes 30–40 euro, përveç Shqipërisë që është shumë më pranë mesatares së BE-së.
Kthime ende të larta
Disa kontrata të tjera, që ndodhen ende në fuqi, vazhdojnë të gjenerojnë kthime të konsiderueshme, duke mbetur ndër aktivitetet më fitimprurëse në treg, pavarësisht kritikave për mungesën e transparencës dhe eficiencës ekonomike.
“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon aktivitetin e Aeroportit të Rinasit, është një ndër koncesionet më fitimprurëse. Kompania raportoi fitime rreth 5 miliardë lekë sipas të dhënave paraprake.
Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000 raportojnë norma të larta fitimi. P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, është aktiviteti me normën më të lartë të kthimit në këtë segment. Në vitin 2025, kompania raportoi fitime prej 219 milionë lekësh, me normë fitimi 66%, nga 64% vitin e mëparshëm.
“La Petrolifera Italo Albanese” ka hyrë sërish në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pasi kishte dalë që në vitin 2022. Në vitin 2025, kompania raportoi të ardhura 812 milionë lekë, ndërsa fitimet u dhjetëfishuan nga 22 në 225 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 28%.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, raportoi 1.44 miliardë lekë të ardhura në vitin 2025, në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm. Fitimet më se u dyfishuan në 292 milionë lekë, duke hyrë sërish në listën e “Monitor 200”. Përmirësimi i rezultatit solli dhe një rritje të fortë të normës së fitimit në 20%, nga 8.5% vitin e mëparshëm.
Shoqëria koncesionare “Porti MBM”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Porto Romano, realizoi fitime rreth 670 milionë lekë në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc). Norma e fitimit ishte rreth 50%.
Koncesionarët PPP, inceneratori “i papunë” më fitimprurësi
Pas vitit 2013, koncesionet u dhanë në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP), nëpërmjet së cilës, kompania private ofronte shërbimin dhe paguhej sipas një plani vjetor nga buxheti i shtetit, në ndryshim nga koncesionet e para në vitin 2013, kur subjekti privat merrte shërbim ekskluziv, por nuk kishte pagesa direkte nga buxheti.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2025, rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Pagesat faktike për vitin 2025, në total arritën në 13.3 miliardë lekë, me rritje të lehtë vjetore 1%, duke shënuar nivelin më të lartë historik që prej vitit 2017, kur ka filluar raportimi.

Burimi: Ministria e Financave
Nga këto, rreth 42% shkuan për katër koncesionet e shëndetësisë (tre prej të cilëve mbaruan në fund të 2025-s dhe gjatë 2026-s), 25% për Rrugën e Arbrit, 7% për inceneratorin e Tiranës.
Buxheti paguan një pjesë të shërbimit të skanimit, pas rishikimit të kontratës në vitin 2013, që ulte pagesat direkte për bizneset. Ky koncesion mori 10.8% të pagesave të buxhetit në vitin 2023. Për infrastrukturën arsimore shkoi 5.3% e totalit.

Burimi: Ministria e Financave
Rrugët
“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).
Kompania raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh në vitin 2025, me tkurrje të fortë gati 39%. Rënia e të ardhurave lidhet kryesisht me mënyrën e njohjes së tyre në bilanc.
Sipas pasqyrave financiare, kompania regjistron të ardhura jo vetëm nga tarifat e kalimit të automjeteve, por edhe nga realizimi i investimeve dhe punimeve kapitale në kuadër të kontratës koncesionare.
Kjo bën që të ardhurat të ndikohen nga vëllimi i punimeve të kryera gjatë vitit dhe jo vetëm nga qarkullimi i automjeteve.
Vetëm të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e përdorimit të rrugës në vitin 2025 janë 1.85 miliardë lekë, me rritje 12% me bazë vjetore. Fitimet ranë me 20% në rreth 200 milionë lekë.
Trafiku i rrugës Durrës-Kukës po rezulton më i lartë se parashikimet fillestare. Sipas raportit të aktivitetit, në kontratën e koncesionit është parashikuar që, në rast se shuma e të ardhurave nga tarifa e përdorimit të rrugës tejkalon kufirin e parashikuar në kontratë, 60% e këtij tejkalimi do t’i kthehet autoritetit kontraktues.
Shuma e përllogaritur për vitin ushtrimor, në bazë të kësaj kërkese të kontratës, është rreth 338 milionë lekë, nga 277 milionë lekë vitin e mëparshëm.
Sipas raportit vjetor, shoqëria ka 48 punonjës të shërbimit të mbledhjes së tarifës, 22 punonjës teknikë dhe operatorë të shërbimeve të mirëmbajtjes dhe të operimit të autostradës, si dhe 12 punonjës të tjerë administrate.
“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit. Kompania raportoi 2.1 miliardë lekë të ardhura, me rënie 27%, në krahasim me vitin 2024, dhe humbje prej 16 milionë lekësh, nga fitimet minimale të një viti më parë. Punimet kryhen nga shoqëria mëmë “Gjoka Konstruksion” (kjo e fundit deklaroi fitime totale prej gati 1.2 miliardë lekësh).
Në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, sipas statutit dhe objektit të aktivitetit për të cilën është krijuar, shoqëria “Gjoka 87” sh.p.k. ka nënkontraktuar për realizimin e punimeve shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a., i miratuar nga Autoriteti Kontraktor.
Punimet e rrugës përfunduan në vitin 2025. Burimet e financimit për këtë projekt u bazuan në gjendjen financiare të shoqërisë “Gjoka Konstruksion”, si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë. Kompania merr më pas pagesa vjetore nga buxheti, bazuar në kontratën koncesionare dhe parashikimet buxhetore për pagesat e koncesioneve.
Inceneratorët
Tre koncesionet e inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit janë ndër projektet më të debatuara të Partneriteteve Publike-Private, për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve të dyshuara financiare, që janë bërë objekt i hetimeve të SPAK-ut.
Projektet, të cilat për vite me radhë kanë gjeneruar të ardhura dhe fitime të konsiderueshme për kompanitë koncesionare, janë përfshirë në procedime penale për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Në vitin 2025, nga tre koncesionet, vetëm ai i Tiranës ka vijuar aktivitetin, ndërsa kontratat për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit kanë përfunduar. Hetimet e SPAK-ut kanë përfshirë mënyrën e dhënies së koncesioneve, zbatimin e kontratave dhe përdorimin e fondeve publike.
Sipas SPAK-ut, gjatë hetimeve janë konstatuar dyshime për falsifikim dokumentesh, përdorim të kompanive fiktive, faturime për shërbime dhe punime të pakryera, si dhe transferime financiare që dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e origjinës së fondeve.
Çështjet e inceneratorëve kanë nxjerrë në pah problematikat e kontrollit dhe transparencës në zbatimin e kontratave koncesionare, veçanërisht në lidhje me përdorimin e parave publike, përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të kompanive përfituese.
“Integrated Energy BV SPV” po zbaton projektin e inceneratorëve të Tiranës dhe është i vetmi koncesion aktiv në këtë segment që rezulton ende me fitime të larta, duke ua kaluar madje dhe partneriteteve të tjera publike private.
Për këtë projekt, pas një procesi të gjatë hetimesh, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës vendosi në gusht 2023 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.
Akuzat janë për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim. Në vitin 2025, kompania ishte në listën e “Monitor 200”, si për të ardhurat, ashtu dhe shpenzimet.
Fitimi para taksave ra me rreth 21% në vitin 2025, duke zbritur në 792.3 milionë lekë, nga 1 miliard lekë në vitin 2024. Megjithatë, kompania vijoi të regjistronte një nivel të lartë përfitueshmërie, me një marzh fitimi para taksave prej 52.8%, nga 59.2% një vit më parë. Për çdo 100 lekë të ardhura, kompania realizoi rreth 53 lekë fitim para taksave.
Rënia e fitimit u ndikua nga tkurrja e të ardhurave me 11.3%, në 1.5 miliardë lekë, si dhe nga rritja e kostove të materialeve të konsumueshme dhe të energjisë me rreth 15%. Sipas raportit të ecurisë, ulja e të ardhurave lidhet ndër të tjera me riklasifikimin e të ardhurave nga interesat e klientëve si të ardhura financiare.
Ndërkohë, shpenzimet e shfrytëzimit dhe ato të personelit u reduktuan, duke zbutur pjesërisht ndikimin në fitim.
Sipas raporteve financiare, “Integrated Energy BV SPV” i siguron rreth 98% të të ardhurave nga trajtimi i mbetjeve urbane, kryesisht për bashkitë e Qarkut të Tiranës dhe operatorët privatë. Në vitin 2025, të ardhurat nga trajtimi i mbetjeve arritën në 1.47 miliardë lekë, ndërsa 25.6 milionë lekë u siguruan nga riciklimi. Gjatë vitit, kompania trajtoi rreth 493 mijë tonë mbetje.
Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (“Albtek Energy”), me kosto totale 5.3 miliardë lekë, me kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë/ditë, sipas deklarimeve zyrtare në kontratë, u pezullua në mars 2022 nga SPAK. Kompania i mori të gjitha financimet nga buxheti para se të bllokohej. Pas vitit 2022, financimi ishte zero.
Inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Fier (“Integrated Technology Waste Treatment Fier”), me kosto totale 3.97 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues rreth 180-200 tonë/ditë, u pezullua nga SPAK në mars 2022. Edhe për vitin 2022, Ministria e Financave pagoi për këtë koncesion 376 milionë lekë, ose 45% më pak se viti i mëparshëm.
Kompania nuk ka dorëzuar bilanc për vitet 2022-2024.

Burimi: QKB, përpunim i Monitor
Nga koncesionet private te zgjerimi i kompanive shtetërore, në “kurriz” të konkurrencës së lirë
Pas dekadash privatizimesh dhe dhënieje të shërbimeve publike me koncesion, shteti po zgjeron sërish praninë e tij në ekonomi, jo vetëm duke marrë në administrim shërbimet e mëparshme të privatëve, por edhe duke krijuar ndërmarrje të reja në sektorë strategjikë.
Të paktën 13 kompani shtetërore kanë nisur aktivitetin vitet e fundit ose pritet të aktivizohen, ndërsa pesha e sektorit publik në ekonomi është rritur nga 8.2% e PBB-së në vitin 2002, në 11.6% në vitin 2024.
Në sektorin e naftës, qeveria po krijon një operator shtetëror për rezervat strategjike, duke ndryshuar modelin aktual, ku përgjegjësinë për mbajtjen e tyre e kanë kompanitë private. Operatori i ri synon të centralizojë importin dhe shpërndarjen e naftës në kohë krizash.
Në sektorin financiar, Banka Shqiptare e Zhvillimit, me kapital të parashikuar prej 10 miliardë lekësh, do të financojë projekte në fusha që konsiderohen me rrezik të lartë ose me kthim të ngadaltë për bankat tregtare.
Ndërkohë, KAYO po zgjeron aktivitetin shtetëror në industrinë e mbrojtjes përmes ndërmarrjeve të përbashkëta me privatët.
Zgjerimi i shtetit si operator ekonomik po ngre pikëpyetje për ndikimin në konkurrencën e lirë, veçanërisht për shkak të avantazheve që kompanitë me pjesëmarrje publike mund të përfitojnë nga vendimet dhe financimet shtetërore.
Shqetësimet janë konkretizuar me kundërshtimin e Shoqatës ProEksport Albania ndaj favorizimit të kompanisë “Guna Tactical”, të krijuar me pjesëmarrje shtetërore dhe private në kuadër të KAYO-s.
Shoqata kundërshton mundësinë që furnizimi i Forcave të Armatosura me uniforma të realizohet përmes kësaj kompanie, pa konkurrim të hapur, si dhe anulimin e procedurave të prokurimit që u mundësonin prodhuesve vendas të merrnin pjesë në këtë treg.
Në sektorin e shëndetësisë, përfundimi i koncesioneve të sterilizimit, kontrollit mjekësor bazë (Check-up) dhe hemodializës po shënon rikthimin e shtetit në ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve që për dhjetë vjet u administruan nga kompani private.
Përmes Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), shoqëri me kapital 100% shtetëror, shteti po merr përsipër organizimin dhe administrimin e këtyre aktiviteteve, të cilat kanë përfituar pagesa të konsiderueshme nga buxheti dhe, në disa raste, kanë gjeneruar norma të larta fitimi për koncesionarët.
Kalimi në administrim publik ndryshon përfituesin e të ardhurave nga këto shërbime, por mbetet për t’u parë nëse do të shoqërohet me ulje të kostove për buxhetin dhe përmirësim të cilësisë.
Rezultatet financiare të operatorëve të rinj shtetërorë do të jenë një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar nëse zëvendësimi i koncesioneve private sjell edhe përfitime ekonomike për publikun.
Pesha e sektorit publik në ekonomi arriti në 11.6% të PBB-së në vitin 2024, nga 8.2% në vitin 2002. Zgjerimi i kompanive shtetërore, disa prej të cilave operojnë në tregje me konkurrencë të kufizuar, ka rikthyer diskutimin për eficiencën e administrimit publik dhe rrezikun e krijimit të monopoleve të reja, në vend të koncesioneve private.
LEXONI EDHE:
200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.







