Trendi i ri në rrjetet sociale që mund të përmirësojë humorin dhe mirëqenien tonë

Kalimi i orëve të tëra në rrjetet sociale mund të kthehet lehtësisht në një burim stresi dhe ankthi, veçanërisht kur përmbajtja që shohim dominohet nga lajmet e trishta, konfliktet dhe informacionet negative. Por, në vend që të përfshihemi në këtë cikël, ekziston një mënyrë më pozitive për të përdorur mediat sociale: Bloomscrolling, një trend që na inkurajon të kërkojmë në mënyrë të vetëdijshme përmbajtje që na frymëzon, na argëton dhe na përmirëson humorin.
Ndryshe nga “doomscrolling”, që nënkupton konsumimin e vazhdueshëm të lajmeve dhe informacioneve negative, bloomscrolling na nxit të zgjedhim me kujdes atë që shohim në ekranin e telefonit. Bëhet fjalë për video argëtuese, histori frymëzuese, fotografi të natyrës, ide kreative dhe përmbajtje që na bëjnë të ndihemi mirë.
Qëllimi nuk është të mbyllim sytë përballë realitetit, por të krijojmë një marrëdhënie më të shëndetshme me botën dixhitale dhe të mos lejojmë që negativiteti të dominojë përvojën tonë në internet.
Pse duhet ta zëvendësojmë doomscrolling me bloomscrolling?
Konsumimi i vazhdueshëm i lajmeve negative mund të shtojë ankthin, të shkaktojë irritim dhe të ndikojë në përqendrimin tonë, madje edhe pasi kemi lënë telefonin. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve shqetësuese mund të na krijojë ndjesinë se duhet të jemi gjithmonë në gatishmëri për të zbuluar se çfarë po ndodh.
Bloomscrolling propozon një qasje krejt tjetër. Në vend që të kalojmë pa fund nga një lajm negativ te tjetri, mund të zgjedhim përmbajtje që na sjellin emocione pozitive dhe na ndihmojnë të çlodhemi.
Historitë e bukura dhe frymëzuese mund të na rikujtojnë rëndësinë e mirënjohjes dhe faktin se, pavarësisht vështirësive, në botë ndodhin çdo ditë gjëra të bukura. Gjithashtu, një përdorim më i vetëdijshëm i rrjeteve sociale mund të na ndihmojë të krijojmë një raport më të ekuilibruar me teknologjinë.
Megjithatë, është e rëndësishme të kuptojmë se edhe përmbajtja pozitive nuk zëvendëson marrëdhëniet e vërteta njerëzore dhe nuk e eliminon lodhjen që shkakton qëndrimi i tepërt para ekranit. Çelësi është ekuilibri.
Si ta përfshijmë bloomscrolling në përditshmërinë tonë?
Krijoni një hapësirë më pozitive në rrjetet sociale
Rrjetet sociale na japin mundësinë të personalizojmë përmbajtjen që shfaqet në profilin tonë. Mund të përdorim opsionin “Nuk më intereson”, të çaktivizojmë ndjekjen e llogarive që na shkaktojnë ankth ose pasiguri dhe të kufizojmë përmbajtjet që nuk duam të shohim.
Në të njëjtën kohë, mund të ndjekim profile që na bëjnë të qeshim, na frymëzojnë, na mësojnë diçka të re ose lidhen me interesat tona. Çaktivizimi i njoftimeve të panevojshme dhe i luajtjes automatike të videove mund të na ndihmojë gjithashtu të kontrollojmë më mirë kohën që kalojmë online.
Zgjidhni me vetëdije përmbajtjen që konsumoni
Kur hapim një aplikacion pa një qëllim të caktuar, shpesh përfundojmë duke parë çfarëdo përmbajtjeje që na sugjeron algoritmi.
Bloomscrolling na nxit të marrim vetë kontrollin. Në vend që të lëvizim mekanikisht nga një postim te tjetri, mund të kërkojmë tema dhe përmbajtje që na interesojnë dhe na bëjnë të ndihemi mirë.
Kështu, rrjetet sociale kthehen në një hapësirë më personale, ku ne vendosim se çfarë duam të shohim, në vend që të konsumojmë pa fund gjithçka që na shfaqet në ekran.
Vendosni kufij për kohën që kaloni para ekranit
Një nga problemet më të zakonshme të rrjeteve sociale është se shpesh nuk e kuptojmë sa kohë kalojmë duke i përdorur. Ajo që nis si një pushim prej pak minutash mund të zgjasë shumë më tepër nga sa kishim planifikuar.
Për këtë arsye, vendosja e një limiti kohor mund të na ndihmojë të ruajmë kontrollin. Edhe përmbajtja pozitive, kur konsumohet pa masë, mund të shkaktojë lodhje mendore dhe shpërqendrim.
Pasi të përfundojë koha e përcaktuar, është mirë ta lëmë telefonin mënjanë dhe t’i kushtojmë vëmendje aktiviteteve që na japin kënaqësi, si shëtitjet, leximi, aktiviteti fizik apo kalimi i kohës me njerëzit e dashur.




