Me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndalimin e largimit të të rinjve nga vendi, studentë dhe qytetarë protestuan sërish në kryeqytet. Grumbullimi nisi rreth orës 14:00 para godinës së Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit shpalosën një banderolë të madhe me mesazhin “Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes”. Ndërsa qëllimi i protestuesve ishte bllokimi i rrugës, forca të shumta policie krijuan një kordon sigurie për të mbajtur të lirë qarkullimin në Rrugën e Durrësit.