Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj sulmit kibernetik të dyshuar ndaj FBI-së, duke deklaruar se, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, incidenti mund të sjellë zbulimin e informacioneve të reja, veçanërisht lidhur me hetimet e mëparshme për Rusinë.
“Nuk më pëlqen, por ndoshta do të mësojmë gjëra që ndryshe nuk do t’i kishim mësuar”, deklaroi Trump për Fox News.
Presidenti republikan e lidh mundësinë e zbulimit të informacioneve të reja me atë që ai e ka quajtur vazhdimisht “Mashtrimi i Rusisë”, duke iu referuar hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e mundshme të Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe lidhjet e dyshuara me fushatën e tij.
Trump i ka cilësuar vazhdimisht këto hetime si të motivuara politikisht, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë tregues se sulmi kibernetik ndaj FBI-së ka lidhje me hetimet e mëparshme për Rusinë.
Sipas raportimeve të Fox News dhe CNN, hakerat kanë shënjestruar Qendrën Kombëtare të Informacionit për Krimin (NCIC), një bazë të dhënash që përdoret nga agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjithë SHBA-në. Sistemi përmban informacione mbi urdhër-arrestet dhe përdoret gjithashtu për verifikime të të dhënave, përfshirë ato të personave që kërkojnë të blejnë armë.
Ky është sulmi i dytë kibernetik ndaj FBI-së brenda dy muajve. Ende nuk është bërë e ditur se kush qëndron pas tij dhe nëse janë vjedhur të dhëna, ndërsa FBI-ja nuk ka dhënë një koment zyrtar.
Incidenti vjen në një kohë kur një sërë problemesh teknike në institucione amerikane, kompani private dhe agjenci qeveritare kanë ngritur shqetësime për sigurinë kibernetike, përfshirë sistemet e emailit të Microsoft, kontrollin e trafikut ajror dhe sektorin bankar.
Zyrtarët e administratës Trump kanë këmbëngulur se këto probleme janë incidente të izoluara dhe nuk ka prova se ato janë të ndërlidhura apo se kanë ardhur si pasojë e sulmeve kibernetike. Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe këshilltari i sigurisë kombëtare dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Ndërkohë, këtë javë është shkarkuar drejtori i sigurisë kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, Sean Cairncross, i cili është zëvendësuar përkohësisht nga Kirsten Davis, Drejtoresha Kryesore e Informacionit në Departamentin e Luftës.
