Një vizatim i realizuar në bankat e shkollës i ndryshoi përgjithmonë jetën një vajze 12-vjeçare ruse. Maria Moskalyova vizatoi një grua ukrainase që përpiqej të mbronte fëmijën nga raketat ruse dhe shkroi dy fjalë kundër luftës. Për këtë, babai i saj u përndoq dhe përfundoi në burg, ndërsa ajo u shkëput nga familja. Katër vite më vonë, tashmë 16 vjeçe dhe në mërgim, Maria rrëfen për gazetën britanike “The Times” historinë e një fëmijërie të ndërprerë nga represioni i regjimit të Vladimir Putinit.
Gjithçka nisi në prill të vitit 2022, vetëm pak javë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në një shkollë të qytetit Yefremov, rreth 300 kilometra në jug të Moskës, mësuesja u kërkoi nxënësve të realizonin vizatime kushtuar asaj që Kremlini e quante “operacioni special ushtarak”.
Ndërsa shumica e fëmijëve vizatuan ushtarë dhe flamuj rusë, Maria zgjodhi të paraqiste një grua ukrainase me fëmijën e saj, mbi të cilët drejtoheshin raketa. Pranë flamurit rus shkroi “Jo Putinit! Jo luftës!”, ndërsa pranë atij ukrainas vendosi mbishkrimin “Lavdi Ukrainës!”.
Një vizatim i thjeshtë, i realizuar me lapsa me ngjyra, mjaftoi për të vënë në lëvizje aparatin shtetëror rus.
Sipas rrëfimit të Marias, gjithçka nisi kur një shoqe klase pa vizatimin dhe nuk e pëlqeu. Babai i saj punonte në polici. Pak ditë më vonë, efektivët mbërritën në shkollë dhe thirrën babanë e Marias, Alexei Moskalyov, i cili e kishte rritur vajzën i vetëm që prej fëmijërisë së hershme.
Policët i kërkuan shpjegime për qëndrimet e së bijës, por Alexei refuzoi të distancohej prej saj. Ai mbrojti të drejtën e vajzës për të kundërshtuar luftën dhe deklaroi se asnjëri prej tyre nuk kishte asgjë kundër popullit ukrainas.
Që nga ai moment nisën problemet. Autoritetet kontrolluan aktivitetin e tij në rrjetet sociale dhe e gjobitën me 32 mijë rubla për një koment kritik ndaj ushtrisë ruse. Më pas pasuan marrjet në pyetje, kontrollet policore dhe presioni i vazhdueshëm ndaj familjes.
Në mars të vitit 2023, një gjykatë ruse e dënoi Alexein me dy vite burg për diskreditim të forcave të armatosura. Procesi gjyqësor zgjati vetëm një ditë. Përpara shpalljes së vendimit, ai u përpoq të largohej drejt Bjellorusisë, por u arrestua në Minsk dhe u kthye në Rusi.
Ndërkohë, Maria u dërgua në një institucion për fëmijë, e ndarë nga njeriu që e kishte rritur. Nga aty, ajo i shkroi të atit një letër prekëse, ku i shprehte dashurinë dhe e quante heroin e saj. Më vonë, vajza iu dorëzua nënës, me të cilën kishte pasur shumë pak kontakte gjatë fëmijërisë.
Rasti shkaktoi reagime ndërkombëtare, ndërsa organizata ruse për të drejtat e njeriut Memorial e shpalli Alexein të burgosur politik.
Për babanë e Marias, burgu u kthye në një përvojë të rëndë. Ai ka rrëfyer se u përball me dhunë, izolim dhe kushte çnjerëzore, duke qëndruar në qeli të papastra, të mbushura me minj. Megjithatë, shqetësimi i tij më i madh ishte fati i vajzës.
Pas rreth 19 muajsh burg, Alexei u lirua më 15 tetor 2024 dhe arriti të ribashkohej me Marian. Por liria nuk solli fundin e përndjekjes. Sipas rrëfimit të tij, vetëm një ditë pas kthimit në shtëpi, një fqinj e paralajmëroi se policia kishte shkuar sërish për ta kërkuar.
Babë e bijë vendosën të largoheshin nga Rusia. Më 24 tetor 2024 u nisën drejt Armenisë, ku qëndruan për më shumë se një vit, ndërsa përpiqeshin të siguronin mbrojtje ndërkombëtare.
Gjatë kësaj periudhe, Maria vazhdoi të vizatonte, të shkruante histori dhe të realizonte portrete të personaliteteve publike dhe të burgosurve politikë. Pas disa përpjekjeve për të marrë viza humanitare, Franca pranoi t’u ofronte strehim.
Më 11 mars 2026, ata mbërritën në Francë, ku nisën një jetë të re larg represionit rus. Sot Maria vazhdon shkollimin, merret me art dhe administron një kanal në YouTube, ku shpreh pikëpamjet e saj kundër regjimit të Putinit.
Historia e tyre u vlerësua edhe me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut Magnitsky 2026, në kategorinë “Guxim nën zjarr”.
Por ajo që i ndodhi Marias nuk është një rast i izoluar. Sipas organizatës Memorial, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, të paktën 107 fëmijë janë privuar nga liria në çështje të lidhura me përndjekjen politike. Ndërkohë, sipas të dhënave të cituara nga “The Times”, gjatë vitit të kaluar më shumë se 180 të mitur janë përballur me akuza me karakter politik në Rusi.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar gjithashtu presionin e ushtruar ndaj nxënësve dhe familjeve të tyre për shkak të qëndrimeve kundër luftës.
Për Marian, katër vitet e fundit kanë qenë të mbushura me frikë, ndarje familjare dhe pasiguri. Megjithatë, ajo nuk shpreh pendesë për vizatimin që i ndryshoi jetën. E pyetur nëse shteti rus ia kishte vjedhur fëmijërinë, vajza pranoi se kishte pasur një fëmijëri, por shumë të shkurtër.
Edhe sikur t’i kishte ditur pasojat, ajo thotë se nuk do të kishte hequr dorë nga qëndrimi i saj kundër luftës.
Babai i saj, ndërkohë, e përshkruan Rusinë e sotme si një burg të madh, ku njerëzit mund të ndëshkohen edhe për mendimet e tyre. Të dy shpresojnë të kthehen një ditë në atdhe, por vetëm nëse vendi ndryshon dhe bëhet demokratik.
Historia e Marias, e rikthyer në vëmendje nga gazeta britanike “The Times”, është një dëshmi e ashpër e represionit politik në Rusinë e Putinit. Një vajzë 12-vjeçare vizatoi kundërshtimin e saj ndaj luftës, ndërsa shteti iu përgjigj me përndjekjen dhe burgosjen e babait.
Një vizatim që duhej të kishte mbetur thjesht një detyrë shkolle u kthye në fillimin e një kalvari katërvjeçar, duke treguar se në Rusinë e Putinit edhe lapsat e fëmijëve mund të trajtohen si kërcënim për pushtetin.