Një model i ri i inteligjencës artificiale, i zhvilluar nga studiues izraelitë, mund të identifikojë personat me rrezik të shtuar për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit shumë vite përpara shfaqjes së simptomave.Teknologjia është bërë e vlefshme përmes analizimit të më shumë se 1,6 milionë kartelave mjekësore nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Modeli është zhvilluar nga kompania izraelite ”ALZAI Health” dhe përdor të dhëna të disponueshme në kartelat elektronike të pacientëve, përfshirë analizat rutinë të gjakut, diagnozat e mëparshme dhe informacionin demografik.
Sipas studiuesve, teknologjia mund të vlerësojë rrezikun pa kërkuar në fazën fillestare ekzaminime të kushtueshme të trurit apo procedura invazive.
Kërkimi nisi në spitalin ”Beilinson” në Petah Tikva, në bashkëpunim me Universitetin e Arielit.
Alzheimeri është shkaku më i zakonshëm i demencës dhe karakterizohet nga dëmtimi progresiv i kujtesës, të menduarit dhe aftësive të tjera njohëse.
Sëmundja mund të zhvillohet 15 deri në 20 vjet përpara shfaqjes së shenjave të para klinike.
Gjatë kësaj periudhe, në tru mund të ndodhin ndryshime biologjike, përfshirë grumbullimin e pllakave amiloide dhe proteinave tau, të cilat lidhen me dëmtimin e qelizave nervore.
“Diagnoza e hershme është thelbësore, pasi krijon mundësinë për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes së Alzheimerit. Disa nga trajtimet që disponohen sot janë efektive vetëm në fazat e hershme”, deklaroi Amir Glik, drejtues i Shërbimit të Neurologjisë Kognitive në spitalin ”Beilinson”, i cili inicioi kërkimin.
Ekipi hulumtues analizoi qindra mijëra kartela mjekësore dhe përdori modele të mësimit automatik për të identifikuar tregues që mund të lidhen me zhvillimin e ardhshëm të sëmundjes.
Sipas studiuesve, disa prej këtyre treguesve nuk përbëjnë domosdoshmërisht arsye për shqetësim kur analizohen veçmas. Megjithatë, kombinimi i tyre mund të zbulojë modele që sinjalizojnë një rrezik më të lartë për Alzheimerin.
Një nga avantazhet kryesore të teknologjisë është se ajo përdor informacionin mjekësor që ekziston tashmë në sistemet shëndetësore, duke shmangur nevojën për ekzaminime të ndërlikuara në fazën fillestare.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 60 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me demencë, ndërsa Alzheimeri përbën rreth 60 deri në 70 për qind të rasteve.
Numri i personave të prekur parashikohet të kalojë 150 milionë deri në vitin 2050, kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë.


