
Mjegulla e dendur ka përfshirë rrugën nacionale Burrel–Skuraj, duke krijuar vështirësi të mëdha për drejtuesit e automjeteve. Shikueshmëria e kufizuar ka shtuar rrezikun e aksidenteve, ndërsa gjendja e amortizuar e rrugës e bën qarkullimin edhe më të vështirë.
Përveç mjegullës, shoferët përballen me mungesën e sinjalistikës rrugore, barrierave mbrojtëse dhe gropave të shumta përgjatë këtij segmenti.
Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese pranë Liqenit të Shkopetit, ku dalja e automjeteve nga rruga mund të sjellë pasoja tragjike.
Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për përmirësimin e infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës dhe instalimin e barrierave mbrojtëse, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore.