Kryeministri Edi Rama ka publikuar episodin e gjashtë të podcastit “Flasim”, në kuadër të sezonit të shtatë, duke e vënë në fokus platformën “Pasqyra e Çmimeve”. Kjo nismë e qeverisë synon të rrisë transparencën në treg dhe t'u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve ushqimore dhe artikujve të konsumit të përditshëm në rrjetet e supermarketeve. Platforma përfshin aktualisht 238 produkte të ndara në 13 kategori, duke u mundësuar konsumatorëve të informohen mbi çmimet në pika të ndryshme shitjeje dhe të bëjnë zgjedhje më ekonomike. Nisma “Pasqyra e Çmimeve” u prezantua më 12 tetor nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me programin “KURSE”, që përfshin oferta me çmime të reduktuara.