Studentja Iris Kola, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, ka folur për vijimësinë e protestës studentore, përballjen me policinë dhe mundësinë e krijimit të një lëvizjeje më të gjerë politike.

Kola u shpreh se protesta nuk mund të ndalet më, pasi sipas saj, studentët e kanë mposhtur frikën dhe kanë fituar një guxim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në përballjet me policinë. Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dështuar në përpjekjet për të përçarë protestuesit.

Duke komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me disa studentëve që nuk janë pjesë e protestës, Kola pretendoi se bëhet fjalë për fëmijë zyrtarësh dhe anëtarë të FRESSH-it, duke përmendur edhe një student që, sipas saj, mund të konsiderohet si vegël e rektorit.

Studentja u ndal edhe te mundësia e dialogut me qeverinë, duke kujtuar protestën e vitit 2018. Sipas saj, përvoja e studentëve të asaj kohe ua ka bërë të qartë se dialogu nuk duhet pranuar.

“Nuk do të arrijnë ta fikin dot zjarrin që është ndezur. Ne e kemi mposhtur frikën, guximi është i tejskajshëm, sidomos kur jemi përballë policisë. Rama dështoi me sukses që të përçante protestën. Studentët që ishin atje janë fëmijë zyrtarësh, anëtarë të FRESSH-it. Njëri prej tyre madje mund të konsiderohet si vegël e rektorit.

Studentët e vitit 2018 na e kanë bërë të qartë që dialogun nuk duhet ta pranojmë”, tha ajo.

Sa i përket krijimit të një organizimi të ri politik, Kola tha se personalisht nuk beson se duhet të jetë pjesë e një nisme të tillë në këtë fazë. Ajo theksoi se studentët janë në frontin e protestës dhe se çdo zhvillim duhet të vijë në kohën e vet, pasi aktualisht nuk beson se ekziston kapaciteti për të krijuar një lëvizje politike gjithëpërfshirëse.

Ajo shtoi se në shumë universitete procesi mësimor vijon normalisht, por sipas saj, një pjesë e studentëve ende nuk e kuptojnë fuqinë që kanë për të sjellë ndryshimin.

Në fund, Kola u shpreh se mbështetja për protestën është e gjerë dhe paralajmëroi se studentët do të vijojnë qëndresën në Tiranë, sidomos në datën 28 nëntor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb