I ftohti mund të rrisë rrezikun e problemeve me zemrën dhe mushkëritë, ekspertët tregojnë si të mbroheni

Temperaturat e ulëta nuk sjellin vetëm gripin dhe infeksionet e stinës, por mund të shkaktojnë edhe probleme serioze për zemrën dhe mushkëritë.
Agjencia e Mbretërisë së Bashkuar për Sigurinë Shëndetësore (UKHSA) paralajmëron se moti i ftohtë mund të përkeqësojë sëmundjet ekzistuese, veçanërisht te të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me probleme kronike.
Sipas ekspertëve, rreziku për shëndetin mund të rritet edhe kur temperaturat janë mbi zero. Efektet negative mund të shfaqen që kur temperaturat jashtë zbresin në 4-8 gradë Celsius, ndërsa në ambiente të brendshme rreziku shtohet kur temperatura bie nën 18 gradë.
Veçanërisht të rrezikuar janë personat mbi 65 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, si dhe personat me demencë apo Alzheimer. Edhe njerëzit që jetojnë në banesa me izolim të dobët dhe ngrohje të pamjaftueshme përballen me rrezik më të madh.
Sipas UKHSA, pas periudhave të ftohta mund të regjistrohet rritje e vdekshmërisë, ndërsa rastet e infeksioneve serioze, si pneumonia, mund të shtohen edhe në javët pasuese.
Për të mbrojtur shëndetin, ekspertët rekomandojnë që temperatura në dhomat ku kalojmë pjesën më të madhe të ditës të mbahet të paktën në 18 gradë Celsius, nëse është e mundur. Këshillohet gjithashtu të shmanget qëndrimi i gjatë ulur dhe të bëhen lëvizje të paktën një herë në orë.
Një tjetër këshillë është veshja me disa shtresa të holla rrobash, mbajtja e dritareve të dhomës së gjumit të mbyllura gjatë netëve të ftohta dhe kontrolli i rregullt i sistemeve të ngrohjes.
Po ashtu, rekomandohet izolimi i dyerve dhe dritareve, duke siguruar njëkohësisht ajrosjen e përshtatshme të ambienteve.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që qytetarët të përgatiten paraprakisht për ditët e ftohta, duke siguruar ushqimet dhe medikamentet e nevojshme, në mënyrë që të shmangin daljet e panevojshme gjatë motit ekstrem. /Telegrafi/


































