Real Madridi siguron tri pikë të rëndësishme në kampionat, duke mposhtur Celta Vigon me rezultatin 2-1 në “Santiago Bernabéu”. Madrilenët u desh të përmbysnin disavantazhin fillestar, ndërsa protagonist i fitores ishte talenti 21-vjeçar Carlos Espí, me golin vendimtar në minutat e fundit. Kjo ishte hera e 4 që talenti spanjoll vendos ndeshjen në favor të madrilenëve në minutat e fundit të takimeve.
Miqtë surprizuan që në minutën e gjashtë, kur Durán dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Celta Vigon në avantazh. Real Madridi pati mundësinë të barazonte me Mbappé nga pika e bardhë, por sulmuesi francez gaboi, duke e dërguar topin mbi portë.
Reagimi i vendasve erdhi në pjesën e dytë, me Bellingham që riktheu baraspeshën në minutën e 66-të. Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Carlos Espí u shfaq në momentin vendimtar, duke realizuar golin e fitores 2-1 dhe duke ndezur festën në “Bernabéu”.
Një sukses me shumë vlera për skuadrën madrilene, që falë këtij triumfi ngjitet përkohësisht në në krye të renditjes së La Liga-s.
Pas ndeshjes Mourinho analizoi kështu fitoren e skuadrës së tij: “Ky ishte pak a shumë skenari që prisja gjatë 90 minutave. E mendoja se do të ishte një ndeshje e komplikuar. Ndoshta jo aq e vështirë dhe jo me kaq shumë vështirësi për ta fituar, siç ndodhi, por gjithsesi prisja një përballje të fortë. Nga njëra anë kishim një skuadër të mirë, madje shumë të mirë, e cila, me sa di unë, nuk kishte shumë lojtarë të angazhuar me kombëtaret Do të vijë një ditë kur nuk do të arrijmë ta përmbysim rezultatin. Sigurisht, kjo më shqetëson.”, theksoi ndër të tjera Mou.
