Erion Veliaj, nuk është paraqitur këtë të diel në Spitalin Memorial të Fierit, ku ishte planifikuar të kryente ekzaminimet paraprake për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë, të parashikuar për më 23 nëntor.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kryebashkiaku duhej t’i nënshtrohej analizave dhe kontrolleve mjekësore përpara operacionit.
Megjithatë, ai ka refuzuar transferimin drejt spitalit, duke bërë të ditur se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për të marrë një vendim lidhur me ndërhyrjen.
“Unë jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në Spitalin Memorial Fier”, është shprehur Veliaj.
Kryebashkiaku ka kundërshtuar më herët edhe transferimin nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit, duke e cilësuar këtë vendim si politik. Ai ka deklaruar gjithashtu se është kërcënuar nga kryeministri Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me qëllim që të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të pranojë përfshirjen në protesta.
Edhe avokati i tij, Plarent Ndreca, kishte njoftuar dy ditë më parë se i ishte drejtuar GJKKO-së për të kërkuar një vendimmarrje mbi operacionin. Ndreca akuzoi Drejtorinë e Burgjeve se po pengonte miratimin e spitalit dhe mjekut të kërkuar nga Veliaj për kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale.













