Një festë për zbulimin e gjinisë së foshnjës që pritet të lindë është kthyer në tragjedi në qytetin Parma, në shtetin amerikan të Ohajos. Tre persona kanë humbur jetën dhe një grua tjetër ka mbetur e plagosur pas të shtënave me armë zjarri të regjistruara të shtunën në mbrëmje.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në ambientet e eventeve “Pandora’s Magical Events Venue”, ku po zhvillohej festa para lindjes së foshnjës.

Sipas policisë lokale, përplasja dyshohet se nisi mes një 19-vjeçari, babait të ardhshëm të fëmijës, dhe një burri 29-vjeçar.

Bilanci i ngjarjes është tragjik. Mes viktimave janë 19-vjeçari, një 45-vjeçar, babai i nënës së foshnjës, si dhe një vajzë 17-vjeçare.

Ndërkohë, një grua 39-vjeçare ka mbetur e plagosur në këmbë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka arrestuar 29-vjeçarin, i cili dyshohet se është i përfshirë në konfliktin me armë. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e viktimave, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.