Bota Design Fashion

Shndërroi një biznes familjar në një markë globale, shuhet në moshën 89-vjeçare Paolo Bulgari!

Biznesmeni dhe stilisti i njohur italian, Paolo Bulgari, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare në Romë. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, e cila e kujtoi si “argjendarin më të madh të kohës sonë”, ndërsa humbja e tij ka shënuar një moment të trishtë për botën e modës dhe industrinë ndërkombëtare të luksit.

Bulgari ishte një nga figurat kryesore që ndihmoi në shndërrimin e biznesit familjar në një markë me famë botërore, bizhuteritë e së cilës janë mbajtur nga yje të Hollywood-it, personalitete të njohura dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore.

Paolo Bulgari drejtoi grupin Bvlgari si president që prej vitit 1984, duke luajtur një rol vendimtar në zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë. Historia e markës nisi në fund të shekullit XIX, kur gjyshi i tij, argjendari me origjinë greke Sotirios Voulgaris, u largua nga Greqia dhe u vendos fillimisht në Napoli, përpara se të hapte dyqanin e tij në Romë.

I lindur në fshatin Paramythia, të njohur për traditën e punimit të argjendit, ai përshtati më vonë mbiemrin Voulgaris në formën italiane Bulgari. Paolo iu bashkua biznesit familjar pas përfundimit të shkollës dhe u specializua në njohjen e gurëve të çmuar, duke u shndërruar me kalimin e viteve në një prej ekspertëve më të njohur të kësaj fushe.

Nën drejtimin dhe ndikimin e familjes Bulgari, marka krijoi një identitet të veçantë, duke u dalluar për gurët e mëdhenj dhe shumëngjyrësh, arin e verdhë, format e guximshme dhe kombinimet e pazakonta. Kjo qasje e veçoi nga stili më delikat i shtëpive tradicionale të argjendarisë pariziene. Biznesi u zgjerua përtej bizhuterive, duke përfshirë orët, parfumet, artikujt prej lëkure dhe hotelet luksoze.

Mes emrave të famshëm që kanë mbajtur krijimet e markës janë Elizabeth Taylor, Audrey Hepburn, Marilyn Monroe, Ingrid Bergman, Sophia Loren, Anne Hathaway, Zendaya dhe Rihanna, ndërsa bizhuteritë e saj kanë zbukuruar edhe Princeshën Diana. Në vitin 2011, familja Bulgari shiti aksionet kontrolluese të kompanisë te gjiganti francez i luksit LVMH, në një marrëveshje me vlerë rreth 3.7 miliardë euro.

Kompania e përshkroi Paolo Bulgarin si “shpirtin e vërtetë krijues” të markës, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij në botën e argjendarisë, por edhe përkushtimin për të mbështetur talentet e reja. “Ai i kushtoi gjithë zemrën profesionit të tij dhe kultivimit të talenteve të stilistëve të rinj, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në botën e bizhuterive”,thuhet në mesazhin e kompanisë.

Në vitin 2019, së bashku me bashkëshorten, ai themeloi Fondacionin Paolo Bulgari, me synimin për të mbështetur të rinjtë nga zonat periferike të Romës përmes arsimimit dhe formimit profesional. Ceremonia mortore do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, në Bazilikën e Santa Croce in Gerusalemme në Romë.